Lajme

Pse iu hoq urdhërarrestimi Radojiçiç’it – Blerim Isufaj: Janë çështje hetimesh për të cilat s’mund të jap detaje


Blerim Isufaj.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, në konferencë për media ka konfirmuar se kishte dhënë pëlqimin për heqjen e urdhërarrestit ndaj Milan Radojiçiç, për arsye që s’mund t’i bëjë publike, sepse janë çështje të ndjeshme të hetimit.

“Unë e kam dhënë pëlqimin, Arsyet nuk mund t’i bëj publike. Këto janë çështje të ndjeshme, janë çështje të hetimit”, ka deklaruar Isufaj, në konferencën e fundvitit të organizuar nga PSRK-ja.

Më 19 shkurt 2021, Prokuroria Speciale kishte kërkuar revokimin e urdhërarrestit ndaj Radoiçiç-it, ndërsa gjykata e kishte aprovuar këtë kërkesë më 23 shkurt 2021.

Urdhërarresti ishte lëshuar në gusht të 2020-ës nën dyshimin se Radojiçiç ishte pjesë e një grupi të organizuar kriminal lidhur me vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.

Isufaj, ka thënë se urdhërarresti pastaj ishte rikthyer dhe po vazhdojnë hetimet.

“Sa i përket udhërarrestit ndaj Radojiçiç, ai është komplet çështje e brendshme e Prokurorisë, të jeni të sigurt se ne nuk mund të ndajmë shumë detaje për rastet që ne i trajtojmë. Ai s’ka qenë kurrë në paraburgim. Është tërhequr për një kohë urdhërarresti, i cili në ndërkohë iu ka rikthyer”, ka deklaruar ai.

Blerim Isufaj.

Ai tutje ka komentuar edhe deklaratat e ish-prokurorit special, Sylë Hoxha, i cili kishte thënë se ka pasur njerëz që i kanë dërguar fjalë për të tërhequr urdhërarrestin ndaj Radojiçiç’it.

Sipas tij, Hoxha duhet të pyetet se “përse nuk ka ndërmarrë veprimi ai ndaj tij”.

Ndërsa, për deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i cili pohoi se sistemi i drejtësisë përkundër informatave dhe fakteve s’ka ngritur ende asnjë aktakuzë për sulmin terroristë në Banjë, Isufaj u shpreh se nuk është “çështje e tij”.

“Nuk është çështje e tij ngritja e aktakuzave. Është çështje e sistemit të drejtësisë. Ne aktakuzat i ngrisim kur kryejmë hetimet, kur kemi prova. Nuk mund të na tregojë kurrkush kur duhet të ngrisim aktakuzë e kur duhet të pushojmë hetimet”.

Nga Prokuroria Speciale e Kosovës, kishin konfirmuar se kanë kërkuar bashkëpunim nga disa shtete të rajonit në lidhje me hetimet për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Për sulmin terrorist më 24 shtator, Kosova ka akuzuar drejtpërdrejt Serbinë, derisa Milan Radojiçiç, person i afërt i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, mori përgjegjësinë.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kanë dënuar në termat më të ashpër sulmin terrorist në Banjë, teksa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë, por edhe bashkëpunim pa kushte në këtë proces nga ana e Serbisë.

Kosova ka kërkuar nga BE-ja që për shkak të këtij sulmi, Serbisë t’i vendosen sanksione, mirëpo për një gjë të tillë nga Unioni kanë theksuar se do të vendosin pasi që të përfundojnë hetimet.

Nga ana tjetër Serbia nuk është distancuar fare nga kjo ngjarje, përkundrazi, ka shpallu ditë zie kombëtare në nderim të terroristëve të vrarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore