Lajme

Haxhiu: Nga Danimarka mund të vijnë edhe të burgosur shqiptarë


Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se nga Danimarka mund të vijnë edhe të burgosur shqiptarë.

“Të burgosurit që do të vijnë nga Danimarka për të vuajtur dënimin e tyre në burgun e Gjilanit nuk do të jenë shtetas danezë por shtetas të vendeve të treta, që mund të jenë edhe nga Kosova”, deklaroi Haxhiu para deputetëve në Komisionin për Legjislacion.

Ajo theksoi edhe shpenzimet vjetore për 300 të burgosurit që do të vijnë nga Danimarka në Kosovë.

“Sipas analizave diku pesë milionë  euro është kostoja jonë vjetore për të burgosurit, drejtori do të jetë danez, stafi menaxhues, do të jenë danezë ndërkaq gardianët do të jenë nga Kosova”.

Po ashtu, ministrja tha se në draft-marrëveshjen me Danimarkën mund të refuzojnë ndonjë të burgosur që është i dënuar për vepra të ndjeshme siç është ajo për pedofili.

“Nëse e shohim se një i burgosur ka vepër për pedofili ose vepër tjetër më të ndjeshme ne mund ta refuzojmë”, u shpreh ajo.

Komisioni për Legjislacion.

Ajo deklaroi se, “çështjen që mund të ndodh diçka jashtë qendrës korrektuese e kemi parasysh, por që ende nuk kemi vendosur”.

Gjithashtu, theksoi edhe veprat penale në atyre që do të jenë të burgosur në Qendrën Korrektuese të Gjilanit.

“Sa i përket veprave penale, të gjitha kategoritë janë që nuk kanë më shumë se 10 vite dënim, janë persona me rrezikshmëri të mesme jo të lartë nuk e konsideroj që është shumë sfidë po ashtu ju inkurajoj që të shkoni dhe të vizitoni Qendrën Korrektuese në Gjilan”.

Sipas saj, “infrastruktura që është në Qendrën Korrektuese në Gjilan, e pamundëson ikjen nga kjo qendër”.

Kurse, Mbretëria e Danimarkës do të paguajë 15 milionë euro çdo vit në një periudhë pesë vjeçare me mundësi të zgjatjes edhe për pesë vjet të tjera.

Haxhiu më tej tha se ndër arsyet pse Danimarka ka zgjedhur Kosovën është se kanë analizuar raportet ndërkombëtare dhe vendore rreth trajnimit të të burgosurve dhe Kosova në Ballkanin Perëndimor qëndron më së miri në këtë aspekt.

Ajo bëri të ditur edhe atë se si procedohet në rastet kur të burgosurit kryejnë dënimin.

“Gjashtë muaj më parë ne njoftohemi dhe përgatitemi për dërgimin në Danimarkë, dhe pastaj në vendin e origjinës”.

Haxhiu gjithashtu theksoi se drejtori i Qendrës do të jetë danez, po ashtu edhe stafi menaxhues, ndërkaq oficerët korrektues do të jenë të Kosovës.

Qeveria e Kosovës dhe Mbretëria e Danimarkës kanë nënshkruar marrëveshje për marrjen me qira të qelive të Qendrës së Paraburgimit në Gjilan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore