Lajme

Haxhiu: Ka përfunduar koha e ndikimeve politike në Shërbimin Korrektues


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me rastin e 22 vjetorit të themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës ka deklaruar se tashmë në këtë institucion të sigurisë ka përfunduar koha e ndikimeve politike e klanore.

Sipas saj, SHKK ka kaluar në disa tranzicione, dhe se ky institucion ishte shndërruar dhe ishte përballur me probleme, interesa politike, duke zbehur imazhin e tij.

“Shërbimi Korrektues në vitet që kemi lënë pas ishte shndërruar apo ishte përballur edhe me disa probleme të theksuara, gjegjësisht realizim të interesave të ngushta klanore, politike, individuale të cilat për një kohë relativisht të gjatë e kanë dominuar këtë shërbim duke zbehur imazhin e tij e derisa pjesë, pjesë e kanë njollosur”.

“Ky mision është fisnik e humanitar. Problemet që kemi trashëguar nuk mund t’i përfundojmë brenda kohës së shkurtër. Ministria e Drejtësisë ka përfunduar projektligjet të shërbimit korrektues. Ne kemi shumë punë para vetes dhe bashkërisht do t’i adresojmë problemet qe kemi. Shpreh vullnetin që t’i avancojmë të drejtat e burgosurve”, është shprehur Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

I pranishëm ishte edhe zëvendësdrejtori i SHKK-së, Ali Gashi, i cili ka thënë “si rezultat i punës, shërbimi korrektues ka arritur përparime të dukshme”.

Zëvendësdrejtori i SHKK-së, Ali Gashi

“Për të siguruar në nivel të lartë është fokusuar në nivelin e ngritjes së sigurisë, trajtimin e burgosurve dhe ofrimin e shumë shërbimeve. Shërbimi korrektues ofron akomodim, ngrohje, higjienën personale. Shërbimi Korrektues ka shumë punëtorë profesional. Imazhi i Shërbimit Korrektues është shumë më i mirë”, shprehet Gashi.

Ndërsa, shtoi se fal angazhimit është rritur edhe imazhi i këtij institucioni të sigurisë.

“Si rezultat i punës profesional me integritet, ndershmëri, objektivitet dhe transparencë Shërbimi Korrektues i Kosovës për këto 22 vite ka arritur përparime të dukshme si në infrastrukturë ashtu edhe ngritje të nivelit të cilësisë së punës”.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës për të siguruar një nivel të lartë për përmbushje të obligimeve është fokusuar në pesë shtylla kryesore: nivelin e ngritjes së sigurisë dhe parandalimin e dukurive negative, trajtimin e të burgosurve me respekt për shkak të dinjitetit të tyre dhe vlerë së tyre si qenie njerëzore”, u shpreh ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore