Lajme

Haxhiu deklarohet e pafajshme lidhur me akuzat për gazin lotsjellës në Kuvend


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputeti Pal Lekaj dhe ish deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën për posedim të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2016.

Në seancën e rigjykimit në Gjykatën Themelore të Prishtinës, të pandehurit deklaruan se nuk kanë nevojë të lexohet aktakuza.

E pandehura Kadaj-Bujupi, u shpreh se, “nuk ka çfarë të shtojë ngase që 7 vite është deklaruar e pafajshme”, ndërsa të akuzuarit Haxhiu, Lekaj dhe Baftiu u deklaruan të pafajshëm.

Më pas, kryetarja e trupit gjykues Fatime Dermaku tha se shqyrtimi gjyqësor vazhdon me fjalën hyrëse, ku prokurori Ilaz Beqiri deklaroi se mbetet pranë fjalës hyrëse të dhënë më parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Foto nga hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend.

Më 18 maj të 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë, në mungesë të provave, i kishte liruar nga akuzat për armëmbajtje pa leje, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetin Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, për akuzën e posedimit të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Mirëpo, kundër këtij aktvendimi ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku në seancën e mbajtur më 6 tetor 2022, kjo prokurori kishte kërkuar kthimin e rastit në rigjykim.

Më pas, Gjykata e Apelit më 14 tetor 2022, ka marrë vendim me të cilin ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke e kthyer çështjen në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur në 2016, Pal Lekaj, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu akuzohen se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore