Lajme

Haxhiu: Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës hapë rrugë për adresimin e krimeve të luftës


Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, konsideroi se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të hapë rrugë për adresimin e krimeve të luftës gjatë viteve 1998 dhe 1999, përfshirë edhe padinë për gjenocid ndaj Serbisë.

“Natyrisht që pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës hapen shumë rrugë dhe do ta shfrytëzojmë si mekanizëm për vendosjen e drejtësisë”, deklaroi Haxhiu, transmetoi agjencia kosovare e lajmeve “Kosova Press” të dielen.

Ajo shtoi se Ministria e Drejtësisë, përfshirë edhe ekspertët ndërkombëtarë, janë duke bërë përgatitjet që të akuzohet Serbia si shtet përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, por refuzoi të japë detaje të tjera.

“Ne e kemi në programin qeverisës edhe padinë për gjenocid dhe kemi pasur disa takime në raport me këtë çështje me ekspertët që janë të profilizuar në krimin që ndërlidhet me gjenocidin. Mirëpo, për shkak të ndjeshmërisë së kësaj çështje nuk mund të jap më shumë informacione”, shtoi ndër të tjera Haxhiu, derisa përmendi edhe ngritjen e institutit për krime lufte.

Serbia nuk i ka pranuar krimet e luftës në Kosovë, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është treguar e gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për t’i dorëzuar kriminelët e luftës dhe për të dhënë informacione për varrezat masive, ku janë fshehur trupat e mijëra viktimave. Ndryshe, në luftën e fundit në Kosovë vlerësohet se u vranë rreth 13 mijë e 500 persona.

E anëtarësimi i mundshëm i Kosovës në Këshillin e Evropës, krahas forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të vendit të vogël ballkanik, përfitues direkt janë qytetarët e Kosovës, të cilët do të kenë një dritare të re për të kërkuar dhe vendosur drejtësi – përkatësisht, qytetarët do të kenë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg të Francës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore