Lajme

Hasani: Njohja e Kosovës nga Serbia e shtynë përpara procesin e “Ballkanit të Hapur”


Nait Hasani, Ambasadori i Kosovës në Shqipëri

“Nëse Shqipëria dhe Maqedoni e Veriut, bëjnë presion ndaj Serbisë për ta njohur Kosovën atëherë procesi i “Ballkanit të Hapur”, apo “Open Ballkan”, mund të ecë përpara në të kundërtën ky procese stagnon”.

Kështu e ka komentuar nismën e “Ballkanit të Hapur”, Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, duke shtuar se procesi në fjalë duhet trajtohet në Kosovë dhe Shqipëri në mënyrë serioze në atë mënyrë që të gjendet një rrugë e përbashkët që edhe Kosova të jetë pjesë e këtij procesi.

Sipas Hasanit, Serbia duhet ta njoh Kosovën në atë mënyrë që Kosova të merr pjesë në këtë iniciativë në mënyrë të barabartë.

“Serbia përdorë me Shqipërinë, Maqedoninë, të ardhmen, ndërsa në raport me Kosovën e prezanton të kaluarën. Nëse duam të ardhmen, Serbia nuk duhet të intervenojë në Kosovë, duhet të heq dorë nga Kosova, duhet ta njeh Kosovën si shtet nëse duam të jemi në proces të barabartë”, ka thënë Hasani për, Top Chanel.

“Serbia duhet t’i qaset duke anashkaluar të kaluarën e vet, duke thënë se e kaluara ka qenë një Serbi kriminale, një Serbi që ka bërë gjenocid në Kosovë, dhe tani e kemi një Serbi që thotë ne duhet të ecim përpara dhe ta lëmë të kaluarën. Po ne jemi për ta lënë të kaluarën por Serbia duhet ta njoh Kosovën, Serbia duhet ta njoh realitetin, pa e njohur këtë realitet si do të vazhdojmë përpara”, ka shtuar ai.

Liderët shtetërorë të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë me 29 korrik të këtij viti kanë nënshkruar një paketë dokumentesh të memorandumit të mirëkuptimit për bashkëpunim rajonal.

Kjo është bërë në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal, që më herët ishte prezantuar si “Mini-Shengeni Ballkanik”.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes mes vendeve u zyrtarizua edhe emri i nismës i cili tashmë titullohet “Open Balkan” apo “Ballkani i hapur”.

Memorandumi i Mirëkuptimit për të lehtësuar importin, eksportin dhe lëvizjen e mallrave në Ballkanin Perëndimor ka të bëjë me thjeshtimin e formaliteteve që lidhen me importin, eksportin dhe lëvizjen e mallrave. Si dhe bashkëpunimin e doganave dhe autoriteteve të tjera kompetente.

Memorandumi i dytë i nënshkruar në mes të tri vendeve ka të bëjë me lëvizjen e tregut të punës në rajon, lidhur me lejen e qëndrimit të përkohshëm.

Ndërsa marrëveshja e nënshkruar, e cili quhet “Bashkëpunimin për Mbrojtjen dhe Shpëtimin nga Katastrofat në Ballkanin Perëndimor”, ka të bëjë me gatishmërinë në mes të tri shteteve për ndihmë vullnetare në rast fatkeqësish.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë takimit të mbajtur në Shkup kishte deklaruar se nga janari i vitit 2023, qytetarët e shteteve nënshkruese do të lëviznin nga Beogradi për në Tiranë pa i ndalur askush.

Në anën tjetër në këtë ngjarje nuk ka marrë pjesë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me arsyetimin se nisma e “Mini-Shengen-it” Ballkanik, është nismë pa vizion për rajonin.

“Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘Mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin”, thuhej në përgjigjen e zyrës për media e Qeverisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore