Shqipëria

Harta e re gjyqësore – Vijon bojkoti i seancave nga “Dhoma e Avokatisë”


E mërkura e 15 qershorit i ka gjetur sërish sallat e gjyqeve pa avokat. Kjo është dita e dytë që avokatët kanë bojkotuar seancat e gjyqësore.

Bojkoti i tyre ka ardhur për shkak të ndarjes së “Hartës së Gjyqësore”.

Një ditë më parë, mbi 800 procese nuk u zhvilluan.

Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maksim Haxhia, i ka bërë thirrje qeverisë të reflektojë, pasi protesta e tyre do të përshkallëzohet dhe mund të bojkotojnë edhe proceset gjyqësore për masat e sigurisë.

Ndërsa Avokatët Penalistë nuk kanë vepruar njëjtë si Dhoma e Avokatisë. Do të ishte kreu i saj, Sajmir Vishaj, i cili ka dalë kundër bojkotit.

Vishaj, gjatë kësaj dite, është paraqitur në një seancë të GJKKO-së. Ai ka deklaruar nuk mund të lënë klientët që kanë paguar.

Ndërsa theksoi se nuk është dakord me bojkotin e gjyqeve, por sugjeron që çështja të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për të kundërshtuar Këshillin e Lartë Gjyqësor në lidhje me hartën e re gjyqësore.

Nga ana tjetër, ai ka dënuar presionet ndaj avokatëve se do të merren masa deri në heqje licence.

“Dhoma nuk është një dhomë private, dhomë private për të hequr licenca apo për të bërë presione. Avokati mund të respektojë instancat, por nuk mund të bëjë presion që të heqë licencën”, u shpreh Vishaj para mediave.

Harta e re

KLGJ-ja, pasi ngriti një Grup Ndërinstitucional për të kryer vlerësimin e sistemit gjyqësor, miratoi të shtunën hartën e re gjyqësore, në të cilën parashikohet një reduktim i numrit të gjykatave në vend.

Sipas hartës së re, vendi do të ketë 12 gjykata nga 22 që ishin më parë.

Ndërsa nga gjashtë gjykata administrative të shkallës së parë do të mbeten dy, një në Tiranë dhe një në Lushnjë dhe një gjykatë Apeli.

Në deklaratën e KLGJ-së shkruhej se, “Harta e re Gjyqësore do t’i shërbejë optimizimit të burimeve njerëzore dhe financiare, rritjes së eficiencës së gjykatave, përmirësimit të shpejtësisë së gjykimit dhe aksesit në drejtësi të qytetarëve”.

Po ashtu, KLGJ-ja e ka cilësuar hartën si çelësin shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e sfidave të sistemit gjyqësor, lidhur me ngarkesën e punës, delegimet, aksesin, koston dhe efektshmërinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore