Shqipëria

“Harta e Re Gjyqësore”, reagon KLGJ-ja: Synon rritjen e efikasitetit


“Harta e Re Gjyqësore, sipas raportit të miratuar, synon rritjen e efikasitetit dhe efektshmërisë së gjykatave”.

Ky ka qenë reagimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) të enjten e 16 qershorit sa i përket situatës së krijuar, për shkak të miratimit të “Hartës së Re Gjyqësore”.

Kujtojmë që kjo është dita e tretë, ku “Dhoma e Avokatisë” – dy mijë avokatë – kanë bojkotuar seancat gjyqësore për shkak të kësaj ndarjeje të re.

Po ashtu, edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka dalë kundër kësaj harte. Ai e ka cilësuar se gjykatat po shkojnë drejt kolapsit. 

Duke iu përgjigjur zërave kundërshtues, KLGJ-ja deklaron se harta e re garanton shpërndarje të ekuilibruar të ngarkesës mes gjykatave dhe gjyqtarëve në funksion të marrjes së drejtësisë, në mënyrë të barabartë dhe në të njëjtën kohë për të gjithë qytetarët.

Kjo zgjidhje forcon aksesin e qytetarit në marrjen e shërbimit, pavarësisht afërsisë fizike me gjykatën.

Ajo vë theksin se raporti përfundimtar vlerësues i Grupit Ndërinstitucional të Punës është produkt i një procesi gjithëpërfshirës konsultimi.

“Ai reflekton një kontribut të përbashkët të Këshillit dhe Ministrisë së Drejtësisë, Gjykatave dhe partnerëve ndërkombëtare, të cilët në vijimësi e kanë mbështetur Grupin e Punës dhe Këshillin në hartimin e raportit vlerësues dhe propozimit që reflekton praktikat më të mira ndërkombëtare”, vijonte deklarata e KLGJ-së.

Sipas kësaj të fundit, Grupi Ndërinstitucional i Punës ka hartuar raportin vlerësues përfundimtar mbi organizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave, në respektim të parimeve dhe kritereve të përcaktuara në ligjin 98/2016, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, i ndryshuar, duke mbajtur në konsideratë gjendjen në të cilën ndodhet sot sistemi gjyqësor, në respektim të detyrimit kushtetues të Këshillit të Lartë Gjyqësor për të garantuar mbarëvajtjen e funksionimit të këtij sistemi.

“Këshilli, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, zhvilluan në fillim të vitit 2022, ciklin e konsultimeve publike mbi propozimin e riorganizimit të rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave”, sqaron më tej KLGJ-ja.

Përpos kësaj, ajo ravijëzoi se opinionet dhe sugjerimet iu nënshtruan një procesi vlerësimi nga Grupi i Punës, për të vijuar me rishikimin e raportit vlerësues dhe finalizimin e projekt-propozimit për riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave.

“Këshilli sjell në vëmendje se vlerësimi i organizimit të rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave përbën një detyrim ligjor periodik për Këshillin, i cili, të paktën çdo pesë vjet, rivlerëson situatën, në varësi të nevojave dhe rrethanave konkrete”, thuhej në deklaratë.

KLGJ-ja shtoi se, në referim të ligjit 98/2016, i ndryshuar, miratimi i “Raportit përfundimtar vlerësues dhe propozimit të Grupit Ndërinstitucional të Punës mbi Hartën e Re Gjyqësore”, përbën fazën e parë me natyrë vlerësuese të riorganizimit dhe kompetencave tokësore të gjykatave.

“Kjo i hap rrugën procesit të marrjes së mendimit nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministri i Financave, përpara kalimit në fazën e dytë, e cila gjithashtu do të kërkojë nga Këshilli formalizimin në një vendimmarrje tjetër miratuese të bashkëpropozimit për ‘Hartën e Re Gjyqësore’ dhe përcjelljen e tij për miratim Këshillit të Ministrave”.

Deklarata përmbyllet, duke sqaruar opinionin publik se, “miratimi përfundimtar i bashkëpropozimit për ‘Hartën e Re Gjyqësore’ është kompetencë ligjore ekskluzive e Këshillit të Ministrave”.

Sipas hartës së re, vendi do të ketë 12 gjykata nga 22 që ishin më parë.

Ndërsa nga gjashtë gjykata administrative të shkallës së parë do të mbeten dy, një në Tiranë dhe një në Lushnjë dhe një Gjykatë Apeli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore