Shqipëria

Harta e Re Gjyqësore, Meta: Shqipëria ka nevojë jetike për një sistem drejtësie të pavarur


“Shqipëria ka nevojë jetike për një sistem drejtësie të pavarur, por dhe plotësisht funksional dhe efiçent. Qytetarët presin drejtësi dhe e meritojnë atë që të jepet, brenda afateve të arsyeshme”.

Ky ka qenë reagimi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, për sa i përket situatës që është krijuar në kuadër të Hartës së Re Gjyqësore.

Sipas Metës kjo gjendje është e papranueshme dhe duhet t’i shqetësojë të gjithë.

“Situata në Gjykatat e Apelit dhe Gjykatat e Shkallës së Parë për shkak të mungesës së gjyqtarëve dhe ngarkesës së lartë është drejt kolapsit”, deklaroi Meta.

Ai thekson se ky riorganizim ekstremisht i përqendruar sipas draftit të hartës së re gjyqësore të miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor më 10 qershor 2022, përpiqet t’i fsheh problematikat me të cilat përballet sistemi i drejtësisë sot.

Sipas tij kjo situatë nuk e zgjidh problemin e vakancave tepër të mëdha, mungesës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe as përshpejtimin e proceseve gjyqësore dhe evadimin e stokut të çështjeve gjyqësore të mbartura dhe të patrajtuara që datojnë që prej vitit 2016-2017.

“Mungesa e një strategjie dhe një plani veprimi me terma të qartë kohore nuk mund të rëndojë sërish mbi  qytetarët, duke i kufizuar atyre aksesin në drejtësi, deri në ato nivele sa të pamundësojnë dhe vet marrjen e drejtësisë, në atë moment kur ai ka nevojë për të”, vijon Meta.

Në arsyetimin e tij Presidentit shton se edhe pse Gjykatat e Apelit dhe Gjykatat e Shkallës së Parë po vuajnë shumë nga mbingarkesa e sistemit, dhe mungesës së gjyqtarëve, kjo nuk zgjidhet me përqendrimin e dhënies së drejtësisë vetëm në Tiranë.

“Vetëm pas plotësimin të vakancave të krijuara me numrin e nevojshëm të gjyqtarëve, sipas standardeve evropiane, mund të kishim një hartë të re gjyqësore, që objektivisht mund të trajtonte rishpërndarjen e burimeve njerëzore, sipas kërkesave të kohës,  zhvillimeve ekonomike dhe sociale, por gjithmonë sipas standardeve të BE-së’, thotë Meta.

Duke vënë theksin te procesi i integrimit në BE dhe kërkesat e organeve më të larta evropiane, sipas Metës vëmendja e KLGJ-së, Këshillit të Lartë të Prokurorëve, Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit të Shqipërisë – si dhe të gjitha institucioneve të tjera përgjegjëse, të përfshira dhe/apo të lidhura me këtë çështje – duhet të jetë e shtuar në këtë drejtim, për të respektuar parimet dhe detyrimet kushtetuese.

“Si President i Republikës, prej më shumë se tre vitesh kam kërkuar zyrtarisht dhe kam përsëritur thirrjen në adresë të KLGJ-së, institucioneve të tjera qeverisëse të sistemit të drejtësisë, por dhe aktorëve dhe institucioneve të tjerë vendimmarrës se duhet të angazhohen me seriozitet dhe me ritme më të shpejta për të plotësuar të gjitha vakancat e krijuara në sistemin gjyqësor”, vijoi Presidenti.

Ata duke të hartojnë e implementojnë masa konkrete, të prekshme dhe objektive në funksion të realizimit të një shërbimi publik në gjykata, sa më cilësor, sa më pranë qytetarit, dhe përmes një kostoje të pranueshme në përputhje me zhvillimin dhe gjendjen ekonomike.

Sakaq ata duhet të rishikojnë draftin që KLGj-ja propozon për riorganizimin e sistemit gjyqësor.

“Gjykatat e Apelit, civile, penale apo administrative, si dhe Gjykatat e Rretheve Gjyqësore, aktualisht janë tejet të mbingarkuara, ndërkohë që nuk ka ende një strategji me terma të qartë kohore dhe plan-veprimi se kur kjo çështje do të zgjidhet përfundimisht në respekt të standardeve evropiane të ngarkesës për një gjyqtar dhe kur do të përfundojë shqyrtimi i çështjeve të mbartura që presin shqyrtimin në Gjykatat e Apelit, prej më shumë se pesë vitesh”, ravijëzon Meta.

Ndër të tjera Meta shpreh keqardhjen se as kërkesat dhe thirrjet e përsëritura të Presidentit të Republikës, por as të Parlamentit Evropian, nuk janë marrë në konsideratë nga KLGJ-ja dhe aktorët e tjerë të përfshirë në këtë proces.

Ndërsa sa i përket bojkotimit të seancave gjyqësore nga Dhoma e Avokatisë, Meta arsyeton se kjo ka ardhur pasi sugjerimet e tyre nuk janë marrë në konsideratë: “vetëm janë administruar”.

“Grumbullimi i gjyqtarëve në një godinë, as nuk përshpejton proceset gjyqësore, as nuk zgjidh problematikën tepër shqetësuese të stokut të çështjeve të mbartura prej vitit 2016-2017, dhe as e ul mbingarkesës e gjyqtarëve, aq më pak, as nuk plotëson vendet bosh të krijuara në sistem”.

Në përfundim presidenti Meta e përmbyll me një mesazh se, “nisur nga këto zhvillime evidentoj edhe një herë se, vendi ynë ka nevojë urgjente për gjyqtarë dhe prokurorë të cilët të plotësojnë numrin e madh të vendeve bosh të krijuara në sistemin e drejtësisë”.

Harta e re

KLGJ-ja, pasi ngriti një Grup Ndërinstitucional për të kryer vlerësimin e sistemit gjyqësor, miratoi të shtunën hartën e re gjyqësore, në të cilën parashikohet një reduktim i numrit të gjykatave në vend.

Sipas hartës së re, vendi do të ketë 12 gjykata nga 22 që ishin më parë.

Ndërsa nga gjashtë gjykata administrative të shkallës së parë do të mbeten dy, një në Tiranë dhe një në Lushnjë dhe një gjykatë Apeli.

Në deklaratën e KLGJ-së shkruhej se, “Harta e re Gjyqësore do t’i shërbejë optimizimit të burimeve njerëzore dhe financiare, rritjes së eficiencës së gjykatave, përmirësimit të shpejtësisë së gjykimit dhe aksesit në drejtësi të qytetarëve”.

Po ashtu, KLGJ-ja e ka cilësuar hartën si çelësin shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e sfidave të sistemit gjyqësor, lidhur me ngarkesën e punës, delegimet, aksesin, koston dhe efektshmërinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore