Lajme

Haradinaj: Rama duhet përgëzuar për qëndrimin dinjitoz, Kurti po rrëshqet në humbjen e kontrollit në Veri


Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duhet përgëzuar pas paralajmërimit të këtij të fundit se do ketë ftohje të raporteve me Serbinë, nëse tre policët kosovarë të rrëmbyer nuk lirohen.

“Kryeministrin Rama duhet përgëzuar për qëndrimin dinjitoz që e kishte sot rreth paralajmërimit të rikthimit të raporteve të ngrira në rast të mos lirimit të menjëhershëm të policëve të zënë rob”, shkroi ai në Facebook.

Sipas Haradinajt, kryeministri Kurti fatkeqësisht “po rrëshqet në humbjen e kontrollit aq sa kishte në veri”.

“Po e humb mbështetjen e aleatëve tanë dhe kësisoj po e nxjerr nga fundosja Vuçiç-in dhe po e dëmton Kosovën”.

“I bëj thirrje publike përfaqësuesve amerikanë dhe të BE-së që të ndërmarrin hapa konkret për lirimin e policëve të Republikës së Kosovës dhe mos të lejojnë degradimin e mëtutjeshëm”.

Ky reagim i Haradinajt vjen pasi kryeministri shqiptar ka paralajmëruar se në rast se tre policët kosovarë të rrëmbyer nga Serbia nuk kthehen brenda javës në Kosovë, “kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen”.

“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa”, ka shkruar Rama.

Pesë ditë më parë tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Megjithatë, autoritetet serbe pretendojnë se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë.

Ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një komunikate zyrtare i ka bërë thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që t’i lirojë menjëherë dhe pa kushte policët e Kosovës të kidnapuar nga xhandarmëria serbe.

“I bëjmë thirrje presidentit Vuçiç dhe qeverisë së Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor. Arrestimi dhe ndalimi i tyre i vazhdueshëm për akuza të rreme ka përkeqësuar një situatë tashmë të tensionuar”, thuhet aty.

Edhe Mbretëria e Bashkuar, gjegjësisht Ministria e Punëve të Jashtme, përmes një komunikate për media ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre policëve, sipas tyre, të ndaluar, më 14 qershor nga policia Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore