Lajme

Haradinaj, Kurtit: Hiq dorë nga sabotimet dhe argumentet banale


Ilustrim: Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti përplasen për gazsjellësin

Ramush Haradinaj, ish-kryeministër i Kosovës dhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i ka konsideruar banale argumentet e kryeministrit aktual, Albin Kurti, për refuzimin e gazsjellësit amerikan.

Kurti, duke folur në një seancë parlamentare, i pyetur nga Haradinaj për refuzimin e këtij projekti, e reduktoi këtë projekt në “çështje e disa gypave”, duke thënë se “nuk shkatërrohet aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për disa gypa”.

Këtë argumentim të kryeministrit, Haradinaj e ka quajtur banal, në një status në Facdebook, pas një qëndrimi të përbashkët të qeverive të SHBA dhe Greqisë për integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor, ku në mënyrë të veçantë specifikohet edhe Kosova, apo edhe gazsjellësi amerikan.

“Justifikimet banale të qeverisë së Kosovës për refuzimin e këtij projekti, se kjo është ‘çështje e disa gypave’, janë jo vetëm shkurtpamëse, por edhe sabotim i orientimeve properëndimore e euroatlantike të Kosovës”, shkruan Haradinaj.

Ai i ka bërë thirrje qeverisë “që të kthjellohet e të mos vendosë pengesa në rrugën e pakthim euroatlantike të Kosovës”.

Qeveria e Kosovës ishte tërhequr nga projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, para deputetëve, në një seancë parlamentare, pati thënë se e kishin të pamundur të përfshiheshin në këtë projekt për shkak të mungesës së informatave, por edhe problematikave të tjera që paraqiste projekti.

Kostoja e projektit, sipas Rizvanollit, do të kishte qenë e lartë dhe se Qeveria nuk ka pasur vlerësim të saktë.

Artane Rizvanolli, Ministre e Ekonomise se Kosoves

Në anën tjetër, sic kishte deklaruar ministrja, edhe disa investitorë nuk kanë shprehur interesim për investim, kurse disa të tjerë kanë vënë kushte të cilat “kanë qenë të pafavorshme për vendin”.

“Nuk ka qenë e qartë se cili do të jetë efekti në çmimet për konsumatorët, sipas disa përllogaritjeve që i kemi marrë 40 euro për një megaëat ka qenë vetëm kosto e paraparë e gazit, që është më e shtrenjtë 30% sesa kosto aktuale e prodhimit të energjisë që e kemi”, është shprehur Rizvanolli.

Projekti i gazit amerikan

Ky projekt madhor strategjik ndryshe quhet Korridori jugor i gazit, ku të përfshirë janë: Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP), Tubacioni i Kaukazit Jugor (SCP) dhe Tubacionin Anatolian (TANAP).

Ky korridor gazi do t’i ketë dy burime të gazit, atij natyror që vjen nga Azerbajxhani dhe gazit likuid (Liquified Natural Gas LNG) që përgjithësisht do të vinte nga ShBA”.

Gazsjellësi

A është refuzuar përfundimisht marrëveshja, apo është shtyrë për një tjetër moment?

Megjithatë, qeveria nuk e ka hedhur poshtë krejtësisht marrjen pjesë në këtë linjë gazi.

Siç ka treguar Rizvanolli, MCC-ja amerikane ka afate strikte kohore për zhvillim dhe nënshkrim të programit të kompaktit, prandaj gjatë muajve në vijim do të vazhdojnë punën e përbashkët me ekipin e MCC-së në këtë drejtim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore