Lajme

Haradinaj kujton Rexhep Malën dhe Nuhi Berishën: Jeta e vepra e tyre, pasuri për historinë tonë


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe këtë të enjte tek varrezat e dëshmorëve në Gjilan, në kujtim e nderim të heronjve të kombit, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, në 40-vjetorin e rënies heroike.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka bërë të ditur se, së bashku me bashkëpunëtorë të tij, ka vizituar edhe familjarët e heronjve.

“Kodra e Trimave në Prishtinë mban këtë emër në saje të trimërisë, të guximit e të gatishmërisë për sakrificë të Rexhës e Nuhiut. Ata ishin vazhdimësi e përpjekjeve të shqiptarëve për çlirimin e atdheut”, ka shkruar ai.

Foto: Ramush Haradinaj

Ai ka theksuar se këto dy figura të ndritura, ishin përveç motiv për vazhdimësi dhe organizime të tjera e të shumta, “ishin edhe paralajmëruesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila e solli lirinë”.

“Emrat e tyre si dhe jeta e vepra e tyre, është pasuri për historinë tonë të lavdishme!”.

Ish-kryeministri gjithashtu ka vizituar edhe kazermën e Ushtrisë së Kosovës në Gjilan, ku është njoftuar me punën dhe të arriturat e ushtrisë.

“Të impresionuar, me energjinë e vitalitetin që posedon ushtria jonë! Të motivuar nga trimëria dhe guximi i heronjve si; Nuhiu e Rexhepi dhe e kaluara e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, përfundoi ai.

Këtë të enjte bëhen 40 vite nga rënia heroike e dëshmorëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha.

Ndërmjet 11 e 12 janarit të vitit 1984, Rexhep Mala e Nuhi Berisha ranë heroikisht gjatë përleshjes me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore