Lajme

Haradinaj: Kryesit e masakrës së Mitrovicës s’janë vënë para drejtësisë – kriminelët të marrin dënimin e merituar


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar terrorin që kishte ndodhur 25 vjet më parë në lagjen Bair të Mitrovicës ku ishin masakruar dhjetëra shqiptarë nga forcat paramilitare serbe.

“Përulemi para sakrificës së martirëve, që jetën ia falën atdheut, të cilit çdo ditë e më shumë i afrohej liria. Me 14 Prill 1999, në Rrugën e Kovaçëve në lagjen Bair në Mitrovicë, forcat serbe masakruan dhjetëra shqiptarë. Pas ndodhjes së masakrës, ata konsideroheshin të zhdukur, derisa u gjetën më vonë të shpërndarë në disa varreza masive”, shkroi ai në Facebook.

“Edhe pas shumë vitesh, kryesit e kësaj masakre nuk janë vënë para drejtësisë. Është obligim i yni i përbashkët që të mos ndalemi së kërkuari drejtësi. Kriminelët duhet të marrin dënimin e merituar”, shtoi.

Tutje, deputeti i AAK-së ka theksuar se bashkëndjenë me familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre, derisa ka theksuar se “ishim me ta, jemi sot e përgjithmonë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore