Lajme

Haradinaj fton faktorin shqiptar në Mal të Zi të harmonizohet me politikën e SHBA-ve


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Mal të Zi të harmonizohen me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në rajon, në dritën e përpjekjeve për të shtyrë përpara procesin e formimit të qeverisë së re malazeze pas ngërçit institucional atje.

Haradinaj, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook” të dielën, ka thënë se sa i përket zhvillimeve politike në rajon dhe më gjerë, shqiptarët gjithmonë kanë qenë në linjë me politikën e jashtme të SHBA-ve, prandaj në këtë drejtim, ka konsideruar që formimi i qeverisë së re të Malit të Zi, duhet të mishërojë vlerat pro-perëndimore.

“Në këtë kontekst konsiderojmë që formimi i qeverisë së re të Malit të Zi, përpos që reflekton vullnetin qytetar dhe pluralizmin politik, duhet pashkëputshëm të mishërojë vlerat pro perëndimore, që lidhen me NATO-n, integrimin evropian, fqinjësinë e mirë dhe refuzimin e ndikimeve dhe ndërhyrjeve të jashtme destruktive nga ana e Serbisë dhe partnerit të saj, Rusisë”, ka shkruar ai.

Milojko Spajiç, fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit me Lëvizjen Evropa Tani (PES) dhe rrugës për të marrë drejtimin e qeverisë së 44-të të Malit të Zi, ka arritur marrëveshje me dy prej koalicioneve shqiptare – Forumi Shqiptar dhe Aleanca Shqiptare – por edhe me koalicionin “Për të Ardhmen e Malit të Zi (ZBCG)”, i cili përbëhet nga ish-përfaqësuesit e Frontit Demokratik (DF) pro-serb dhe pro-rus.

Negociatat për përbërjen e ekzekutivit malazez janë dominuar nga pyetja nëse Spajiçi do të formojë kabinetin e tij qeveritar me Demokracinë e Re Serbe (NSD) dhe Partinë Popullore Demokratike (DNP), të cilët angazhohen për heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, anulimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe tërheqjen nga NATO-ja.

SHBA-ja, së bashku me partnerët e Bashkimit Evropian (BE) presin që ekzekutivi i ri malazez në krye me Spajiçin të shpallë të mbyllur çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, forcimin e partneritetit mes Malit të Zi dhe bllokut ushtarak të NATO-s dhe sanksionet e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Rusisë për agresionin në Ukrainë.

Prandaj, kreu i AAK-së ka ftuar faktorin politik shqiptar që në këto procese, tani dhe në të ardhmen, pjesëmarrjen dhe reflektimin e vullnetit të qytetarëve shqiptarë në të gjitha institucionet e Malit të Zi, ta shohin para së gjithash në dritë të domosdoshmërisë së orientimit pro-amerikan dhe pro-evropian, ngase sipas tij, çdo qasje tjetër është e dëmshme.

“Çfardo qasje tjetër nga cilido akter në Mal të Zi do të ishte i dëmshëm për rajonin në aspektin afatshkurtër, por edhe për vet Malin e Zi në një perspektivë afatgjate”, ka shkruar ish-kryeministri i Kosovës të dielën.

Në Parlamentin e Malit të Zi kanë fituar ulëse plot 6 shqiptarë: Dritan Abazoviç nga Lëvizja Qytetare URA, Nik Gjeloshaj dhe Nikollë Camaj nga Forumi Shqiptar, Genci Nimanbegu nga Aleanca Shqiptare dhe Drita Llolla e Mehmed Zenka nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH) që garuan së bashku me Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore