Shqipëria

Hapet plotësisht tubi i parë i tunelit të Llogarasë


Kryeministri shqiptar Edi Rama bëri me dije se është hapur plotësisht tubi i parë në tunelin e Llogarasë dhe ka filluar puna për hapjen e tubit të dytë.

Lajmi u bë i ditur nga kreu i Qeverisë, duke cituar statusin e tij në median sociale “Facebook”.

“Pas hapjes 100 për qind të tubit të parë në tunelin me gjatësi prej 6 kilometër vazhdojnë punimet për hapjen e tubit të dytë i cili deri tani ka arritur në 4.670 metra, dhe ku në total janë hapur 9 tunele lidhëse nga 11 gjithsej”, shkruan Rama.

Gërmimet në tunelin e Llogarasë kanë përfunduar të martën e 31 janarit.

Kështu bëri me dije, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjinë, Belinda Balluku gjatë inspektimeve të punimeve në tunelin e Llogarisë ku deklaroi se ky i fundit do të jetë i hapur në verën e vitit 2024.

“Sipas kontratës, ne duhet të dorëzojmë veprën në 10 gusht 2024. Ne synojmë që në 1 qershorin e 2024 e gjithë vepra, pra 7.4 kilometra pasi 6 kilometra është tuneli dhe 1.4 janë rrugët ndihmëse dhe lidhëse, urat që do të lidhin direkt me pjesën e Palasës, të jenë gati më 1 qershor dhe operative për gjithë qytetarët. Ky është synimi i gjithë grupit”, u shpreh Balluku.

Ajo shtoi se, “tuneli është i hapur në krejt gjatësinë e vet, falë përmbylljes së procesit më të vështirë për ndërtimin e kësaj vepre infrastrukturore”.

“Një punë e bërë në kohë rekord që do të pasohet tani me proceset e tjera, deri në përfundimin e plotë të të gjithë veprës, shpresojmë në 1 qershor të vitit të ardhshëm”.

Sipas saj, tuneli do të shkurtojë konsiderueshëm kohën e udhëtimit drejt Jonit, duke rritur njëkohësisht standardet e sigurisë rrugore.

Ky tunel do të ketë gjatësi prej 5.9 kilometrash dhe do ta shkurtojë kohën e udhëtimin nga 55 minuta në 10, e cila lidh mes përmes gjithë Qafën e Llogarasë.

Ai nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit deri në urën e Palasës.

Një konsorcium turk, i përbërë nga dy kompani, Intekar Yapi dhe ASL, kanë fituar të drejtën e ndërtimit të tunelit, me vlerë 17 miliardë lekë (138.9 milionë euro).

Ky do të jetë edhe projekti i parë, që konsorciumi ka marrë përsipër të ndërtojë në Shqipëri.

Sfida ndërkaq, nuk është e thjeshtë, me një vepër madhore në infrastrukturë, e cila pritet të ketë afat 36-mujor për përfundimin e punimeve.

Sipas të dhënave publike të Intekar Yapi dhe ASL, konsorciumi privat ka 600 persona të punësuar.

Shoqëria, me përgjegjësi të kufizuar, është themeluar në vitin 1989.

Ajo vepron ekskluzivisht në fushën e infrastrukturës.

Ndër më kryesoret, janë ndërtimi i rrugëve, punimet tokësore, struktura inxhinierie, si ura, tunele e diga dhe rrjete të kanalizimeve ujore.

Pavarësisht faktit se kjo do të jetë vepra e parë që shoqëria do të ndërtojë në Shqipëri, ajo është e njohur për vepra madhore në Turqi, në kryeqytetin Ankara dhe në qytete të tjera si Izmiri apo Stambolli.

Me projektin tërësisht në vijë, e vetmja gjë që pritet tashmë është mbarimi i punimeve në vitin 2024.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore