Shqipëria

Hapet pika e re kufitare Shishtavec-Krushevë që lidh Shqipërinë me Kosovën


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas hapjes së pikës së përbashkët kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë – Shishtavec-Krushevë, ka thënë se hapja e kësaj pike është dëshmi e vullnetit të të dy qeverive që të tejkalohen të gjitha vështirësitë dhe jetën e qytetarëve ta bëjnë sa më të lehtë.

“Forcimi i raporteve tona nuk do të ndalet këtu. Kjo është realizimi i marrëveshjes së dytë nga tri të cilat dy ministritë tona, dy qeveritë tona i kanë nënshkruar por do të ketë edhe marrëveshje tjera. Shumë punë duhet të bëjmë që bashkëpunimi ynë të jetë sa më i afërt, sa më dinamik e që qytetarin e zakonshëm të jetë sa më i padukshëm që ne realisht ta përmbushim misionin tonë të parë, të jemi në shërbim të tyre”, ka thënë ai, raporton KP.

Sipas ministrit Sveçla, kjo pikë kufitare do të jetë e hapur 24-orë dhe shtatë ditë në javë që do t’i shërbejë qytetarëve dhe shtetasve të vendeve të treta.

Ndërsa homologu i Sveçlës nga Shqipëria, Bledar Çuçi, ka potencuar se me hapjen e kësaj pike kufitare po krijojnë ura sa më të komunikueshme midis vendeve tona dhe të bërë jetën e qytetarëve tona sa më të lehtë.

“Besoj se të gjithë përfitimet që do të pësojnë të dy komunitetet në dy anët që në fakt kanë një lidhje historike shumë më të largët se sa historia jonë e afërt, ne nuk bëjmë asgjë tjetër veç se i kthejmë ata në historinë e tyre, në traditat e tyre dhe ky është qëllimi parësorë si kundër pastaj edhe qëllimet e tjera që lidhen me krijimin e kanaleve të lëvizshmërisë qoftë të njerëzve qoftë të mallrave, të turizmit”, ka theksuar Çuçi.

Sipas tij,  në të dy anët e kufirit janë zona me potenciale të jashtëzakonshme të turizmit.

Në ceremoninë e hapjes së kësaj pike kufitare u paralajmëruan marrëveshje të tjera në mes dy vendeve, derisa u tha se kjo pikë kufitare do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve nga të dyja anët,  gjithashtu do të shërbej edhe për zhvillimin e turizmit në këtë zonë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore