Gjykata Speciale

Hamza: Kosova duhet të rrisë mbështetjen financiare për UÇK-në siç veproi Kroacia


Bedri Hamza

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, njëherit nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), u shpreh “tejet i shqetësuar” të mërkurën sa u përket pagesave për ekipin mbrojtës të ish-presidentit kosovar, Hashim Thaçi, i cili po gjykohet për krime të pretenduara lufte në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës.

Hamza deklaroi në një postim në “Facebook” të mërkurën se mungesa e ndihmës në nivelin adekuat nga institucionet përkatëse të Kosovës për ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po gjykohen në Hagë është evidente, posaçërisht pas paralajmërimit të ekipit mbrojtës të Thaçit se do të tërhiqen nga rasti nëse nuk pranojnë pagesat me kohë.

“Kosova ka mjete financiare që e përballojnë koston e mbështetjes dhe nuk paraqet asnjë rrezik për stabilitetin makrofiskal për vendin. Për më tepër, ritheksoj se e kemi obligim ligjor dhe moral ta mbrojmë të vërtetën e Lirisë së Kosovës e t’ju dalim hakësh burrave të lirisë”, shkroi kryetari i Mitrovicës.

“Qeveria e Kosovës jo që duhet ta zvogëlojë mbështetjen, por duhet t’i rrisin financimet për mbrojtjen e themeluesve të UÇK-së”, shtoi ndër të tjera Hamza, duke marrë shembull shtetin kroat, i cili shpenzoi miliona euro në mbrojtjen e komandantëve të akuzuar për krime lufte në Tribunalin e Hagës.

“Kështu ka vepruar edhe Kroacia me gjeneralët e saj, përfshirë gjeneralët shqiptarë. Kështu duhet të veprojmë edhe ne. Heshtja përballë kësaj çështje nuk i bënë nder vendit!”, nënvizoi Hamza, duke iu referuar strategjisë afatgjate të qeverisë së Kroacisë në ofrimin e fondeve për mbrojtjen e tyre.

Ministria e Drejtësisë në Kosovë, nëpërmjet një komunikate për shtyp të martën, njoftoi se është përgjegjëse për pagesën ndaj avokatit kroat Luka Mishetiç dhe jo ndaj avokatëve tjerë të angazhuar privatisht nga ish-presidenti kosovar. Vetëm në vitin 2023, ekzekutivi realizoi pagesa për mbrojtjen e Thaçit në shumën prej 1 milion e 371 mijë e 800 eurove.

Ministria e Drejtësisë: Ne e paguajmë vetëm 1 avokat për Thaçin, jo edhe të tjerët

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore