Kosova

Hajdari dhe Musliu përplasen për vajin e konfiskuar


Ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari dhe deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu.

Ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari dhe deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu janë përplasur në seancën e të martës në Kuvendin e Kosovës, ku po debatohej për ngritjen e çmimeve.

Hajdari, në fjalën e saj përmendi luftën kundër ekonomisë informale, në kuadër të së cilës ajo bëri të ditur se janë konfiskuar edhe një sasi e madhe e vajit, në kohën kur vendi po përballet me ngritje të madhe të çmimit të këtij artikulli bazik.

“Disa operatorë ekonomikë nuk kanë prezantuar dokumentacionin e kërkuar dhe për ngritjen e çmimeve nuk kanë dokumentuar asnjë arsyetim të bazuar. Gjithashtu me zmbrapsjen fillimisht të rafteve dhe me çmim tepër të lartë me mbishkrimin sasia e limituar 4 copë për person”.

“Dyshohet se këta operatorë kanë tentuar të shfrytëzojnë situatën lidhur me krizat botërore dhe dyshohet se kanë tentuar të mbjellin frikë dhe panik të konsumatorët se kinse ky produkt është në mungesë. Prandaj, Inspektorati i Tregut në bashkëpunim me Departamentin për Hetimin e Krimeve Ekonomike më 10 mars 2022 ka mbyllur përkohësisht dy depo kryesore të dy operatorëve ekonomikë”, ka thënë Hajdari.

Konfiskimi i vajit.

Ndaj këtyre deklaratave lidhur me konfiskimin e vajit pa dokumentacion, reagoi deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu

Ajo ka kërkuar të dijë më tepër informacion se çfarë ka ndodhur me vajin e konfiskuar si dhe mënyrën se nga kishte hyrë ai në territorin e Kosovës.

“Po mos të ishte reagimi i qytetarëve, reagimi i mediave, i opozitës, as që këtë duke i vërejtur si Qeveri ngritjet e çmimeve. E thoni në vazhdimësi që keni mbyllur dy depo. Proklamuat për 250 mijë litra vaj, që i keni zënë pa dokumentacion. A ka mundësi me na tregu çka keni ndërmarrë ndaj doganave në këtë rast? Kah ka hyrë ky vaj, sepse ata nuk e kanë bërë vetë vajin. Tregonani se çka keni ndërmarrë ju për të identifikuar problemin në gjenezë? Kah ka ardhur vaji pa dokumentacion?”.

Musliu shtoi se, “Ndoshta për juve është e lehtë të dilni dhe të thurni vargje për çdo detaj dhe të bëni propagandë mbi fatkeqësitë e qytetarëve, por qytetarët janë në hall dhe mezi që po mbijetojnë këto ditë… Tregona ka dhe kur ka hyrë ai vaj në Kosovë që është pa dokumente”, ka thënë Musliu.

Më 10 mars, Inspektorati i Tregut ka mbyllur dy depo të operatorëve ekonomikë në Fushë Kosovë dhe Graçanicë e ku kishte sasi të konsiderueshme të vajit.

“Gjatë aksionit të sotëm të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, konkretisht Inspektorati i Tregut në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, janë mbyllur përkohësisht dy depo të operatorëve ekonomikë”, ka njoftuar kjo ministri.

Ndërsa ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, përmes një statusi në Facebook ka thënë se me shqetësim ka pranuar njoftimet dhe ankesat për ngritje të menjëhershme të çmimeve të produkteve ushqimore esenciale, duke treguar se në nenin 295 të Kodit Penal flitet për keqpërdorim të pozitës së monopolit thuhet se “në pikën 1, parashihet burgim deri në 3 vjet, kurse në pikën 2 deri në 5 vjet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore