Shqipëria

Guvernatori Sejko: Çmimet e produkteve do të mbesin të larta përgjatë gjithë vitit


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka dalë në një deklaratë për shtyp për të folur për Raportin e Tranzicionit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Sekjo bëri me dije se raporti thekson që çmimet e produkteve do të mbesin të larta përgjatë gjithë këtij viti.

“Sulmi ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës dhe sanksionet e vendosura, kanë sjellë një rritje të shpejtë të çmimeve të ushqimeve, të naftës, të produkteve energjetike dhe të lëndëve të para, në tregjet ndërkombëtare. Ndonëse pasiguria është e konsiderueshme, informacioni i disponuar sugjeron se këto çmime do të vijojnë të mbeten të larta, të paktën dhe gjatë pjesës së mbetur të vitit 2022”.

Ai tha se këshillohet që të mos rritet borxhi publik dhe të ketë ndërhyrje të kujdesshme në paketat fiskale.

Politikat duhet të bazohen tek ndihma e shtresave të varfra të popullsisë, vijoi më tej Sejko.

“Politikat ekonomike duhet të mbrojnë nga pasojat e goditjes shtresat më në nevojë të shoqërisë dhe segmentet më të brishta të ekonomisë”.

Kjo, pasi familjet shqiptare po përballen me rritje të kostove.

“Në vija të përgjithshme, ekonomia shqiptare do të përballet me kosto shtesë për familjet, bizneset dhe bilancet e sektorit publik, për një horizont jo të shkurtër kohor”.

Në aspektin negativ, vijon guvernatori, norma e inflacionit do të qëndrojë mbi objektivat e BSH-së. Gjithashtu, sipas tij edhe marzhet e fitimit për bizneset do të pësojnë rënie, kjo ka ardhur si pasojë e pandemisë dhe luftës në Ukrainë.

“Inflacioni pritet të qëndrojë mbi objektiv për pjesën më të madhe të dy viteve të ardhshme. Në të njëjtën kohë, marzhet e fitimit të biznesit do të vihen në presion dhe kostot e shërbimit të borxhit do të rriten”.

Në aspektin pozitiv, sipas Sejkos, edhe në prani të kësaj goditjeje, “projeksionet tona sugjerojnë se vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend do të shënojë rritje gjatë vitit 2022”.

“Në vizionin tonë, ekuilibri ekonomik dhe financiar është një parakusht i domosdoshëm për rritje të qëndrueshme”, thekson guvernatori.

Raporti i BERZH-it

“Lajtmotivi i Raportit të Tranzicionit për këtë vit është digjitalizimi”, ka thënë Sekjo.

Digjitalizimi, si pasojë e përballjes me pandeminë “ u përshpejtua në shumë aspekte të jetës dhe të punës”.

Raporti i BERZH vë në dukje se ky proces ishte edhe më i shpejtë në rajonin tonë, ka sqaruar guvernatori.

“Si pasojë, ka kontribuar në rritjen e konkurrueshmërisë, në ruajtjen e vendeve të punës përgjatë pandemisë dhe në shtimin e tyre pas hapjes së ekonomive”.

Banka e Shqipërisë ka vlerësuar dhe inkurajuar që herët aplikimin e teknologjisë së informacionit dhe digjitalizimit në sistemin financiar.

“Në këtë drejtim, është punuar për nxitjen e përdorimit më të madh të teknologjisë në sistemin e pagesave, për përmirësimin dhe forcimin e kuadrit rregullator për institucionet e pagesave elektronike, si dhe për mbrojtjen e konsumatorit dhe huamarrësit”.“Për të nxitur më tej rritjen e aftësive teknologjike e për të përfituar nga dividendi teknologjik i lidhur me të, mendoj se autoritetet rajonale dhe shqiptare duhet të vazhdojnë zbatimin e reformave specifike strukturore”, theksoi Sejko.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore