Teknologji

Gucci me atlete që vishen vetëm virtualisht


Alessandro Michele, drejtori kreativ i markës Gucci, ka dizajnuar një palë atlete digjitale me ngjyrë neoni, të cilat njerëzit mund t’i provojnë vetëm nëpërmjet realitetit të shtuar për t’i bërë pjesë e fotografive të tyre në mediat sociale.

Atletet e quajtura Gucci Virtual 25, kanë marrë numrin e parapëlqyer të Michele-it dhe përbëjnë një model hibrid të ulët, me majë të lartë dhe me ngjyrë jeshile të theksuar fosforeshente.

Ato janë krijuar në bashkëpunim me platformën e modës, Wanna dhe mund të blihen në blihen përmes aplikacionit celular të secilës kompani ndërmjet 9 dollarë dhe 12 dollarë.

Blerësi i atleteve jo fizike, mund t’i veshë ato ngjashëm si të vendoste një filtër në një fotografi për mediat sociale. Njëkohësisht, blerja e atleteve brenda aplikacionin Gucci, shkyç një version të shkarkueshëm të atleteve që mund të përdoren nga përdoruesit për lojën e realitetit virtual, VRChat dhe lojën online, Roblox.

Ky nuk është bashkëpunimi i parë mes dy kompanive. Gucci ka punuar edhe më parë me Wanna-n për krijimin e versioneve të realitetit të shtuar të të gjithë koleksionit të saj të atleteve në botën reale në mënyrë që blerësit t’i provojnë virtualisht ato brenda aplikacionit.

“Për pesë ose ndoshta 10 vjet, një pjesë relativisht e madhe e të ardhurave të markave të modës do të vijnë nga produktet digjitale”, është shprehur Sergey Arkhangelskiy, bashkëthemelues dhe shef ekzekutiv te Wanna.

Ai ka shtuar se “qëllimi ynë si kompani është që në të vërtetë të zëvendësojmë fotot e produktit me diçka që është mënyra më tërheqëse dhe më afër blerjeve jashtë linje”.

Përpos krijimeve të mëparshme virtuale, atletet Gucci Virtual 25, shënojnë herën e parë që shtëpia luksoze italiane e modës ka krijuar një palë atlete që ekzistojnë vetëm në botën virtuale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore