Lajme

Greqia heq kufizimet për fluturimet nga Shqipëria


Greqia ka hequr kufizimet për fluturimet nga Turqia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të cilat u vendosën për të frenuar përhapjen e COVID-19.

Lajmin e bëri të ditur autoriteti grek i aviacionit civil (YPA).

Megjithatë, të gjithë udhëtarët nga jashtë do të duhet të tregojnë se posedojnë një test negativ COVID-19, të marrë brenda 72 orëve nga mbërritja e tyre.

Ata gjithashtu do të duhet të bëjnë karantinë në shtëpi ose në vendin e tyre të qëndrimit, për shtatë ditë, shkruhet në njoftimin e YPA-s.

YPA gjithashtu rriti numrin për vizitorët nga Rusia, në 4 mijë në javë nga 500 që ishte më parë.

Pasagjerët nga Britania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do t’i nënshtrohen një testi të shpejtë të detyrueshëm COVID-19 pas mbërritjes në Greqi, shtoi autoriteti.

Të ardhurit nga Britania do të duhet të bëjnë një test tjetër pas mbarimit të karantinës së tyre shtatë ditore.

Nëse udhëtarët rezultojnë pozitivë, karantina e tyre do të zgjatet në 14 ditë.

Greqia do të heqë disa kufizime të bllokimit të COVID-19 javën e ardhshme si pjesë e planit për të rihapur gradualisht ekonominë, edhe pse spitalet e saj mbeten nën presion.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore