Lajme

Grenelli mburret pas dekorimit nga Vuçiçi: Jam personi i vetëm në botë që pranon medalje nga Kosova e Serbia


Richard Grenell

Richard Grenell, ish-Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për dialogun Kosovë-Serbi dhe Ballkanin Perëndimor nën administratën e presidentit amerikan Donald Trump, nëpërmjet një postimi në platformën “X”, ka pretenduar se është i vetmi person në botë që dekorohet me nderimet më të larta sikurse në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të mërkurën ia ka dorëzuar ish-emisarit të SHBA-së “Urdhrin e Flamurit Serb” për “shërbime të dalluara në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit paqësor dhe të marrëdhënieve mes Serbisë dhe SHBA-ve”, ndërsa e ka falënderuar për “mprehtësinë e tij” gjatë angazhimit në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

“Sot tash mund të them se jam i vetmi person në botë që kam marrë medaljen më të lartë të nderit nga Kosova (tre vjet më parë) dhe Serbia (sot)”, ka shkruar Grenelli të mërkurën, derisa ka shpërndarë fotografitë e medaljeve në pranuara nga autoritetet shtetërore në Prishtinë dhe Beograd.

Do të jetë hera e parë që një amerikan nderohet me medalje presidenciale serbe. Para tij, me “Urdhrin e Flamurit Serb” ishin nderuar kryesisht rusë sikurse, gjenerali rus Sergei Shoigu, diplomatët rusë, Sergei Lavrov dhe Vitaly Churkin, ndërsa i fundit ishte Andrija Mandiç, lideri i ish-Frontit Demokratik (DF) pro-rus e pro-serb në Mal të Zi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore