Gjykata Speciale

Gjykimi në Hagë në sytë e medieve ndërkombëtare, “reklamë” që do ta mbajë peng Kosovën aq sa të zgjasë procesi


Foto e punuar nga Vitjon Nina, gazetar në Albanian Post

Që nga dita kur nisi gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë, të hënën e 3 prillit, ky proces mori vëmendjen e medieve ndërkombëtare.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi dhe procesi ndaj tyre në Hagë ishte temat e disa prej mediave më të mëdha ndërkombëtare si The Guardian, New York Times, BBC, Asocciatet Press e Al-Jazeera.

“Gjykata për krimet e luftës përqendrohet në atë se çfarë dinte ish-presidenti i Kosovës”, “Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaron se nuk është fajtor për krime lufte”, e “Askush nuk është mbi ligjin:’Hapet gjyqi i ish-presidentit të Kosovës’”, ishin disa nga titujt.

Edhe para pak dite kam ngritur “alarmin” se si po pasqyrohet ky proces në mediet ndërkombëtare, ka thënë Afrim Kasolli, ish këshilltari politik në Ministrinë e Drejtësisë në mandatin e Dhurata Hoxhës, tani analist politik, në një prononcim për Albanian Post.

Ai theksoi veçanërisht një shkrim të komentatorit politik nga Beogradi Aleks Eror, në mediat ndërkombëtare me titull “Convicting Kosovo’s former leaders of war crimes could be the best way to achieve long-term stability in the Balkans (Dënimi i ish-liderëve të Kosovës për krime lufte mund të jetë mënyra më e mirë për të arritur stabilitet afatgjatë në Ballkan)”, si kërkesë që “ish-krerët e luftës së UÇK-së të dënohen me çdo kusht në këtë proces gjyqësor që po zhvillohet në Hagë, janë apo nuk janë fajtorë”.

“Sepse sipas kutit të tyre propagandistik, ky dënim i kontribuon, paqes, stabilitetit dhe pajtimit në këtë hapësirë në mes popujve. Dhe teza të tilla, janë vazhdimësi e atyre qëndrimeve që ndër vite kanë ardhur duke e relativizuar krimin shtetëror të Serbisë sipas asaj formulës së njohur ‘të gjithë jemi fajtorë’”, thotë Kasolli.

Kjo frymë, kujton Kasolli, nisi që kur u plasua për herë të parë raporti i senatorit zviceran Dick Marty për trafikimin e organeve, në vitin 2010 e i cili më vonë u miratua nga Këshilli i Evropës.

“Akuza këto që e lënduan tejmase imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Ndërkohë, shoqëria kosovare, ka dështuar që ta ndërtojë një reagim efikas ndaj kësaj fushate në arenën ndërkombëtare. Në vazhdimësi kam insistuar se beteja e ardhshme shtetërore duhet të jetë në këtë nivel e jo në një luftë të pakuptimtë dhe absurde të brendshme”, vlerëson Kasolli.

Afrim Kasolli, ish Këshilltari Politik në Ministrinë e Drejtësisë, Analist Politik

Fakti se sot shkruhet në disa nga mediet prestigjioze ndërkombëtare se si drejtuesit më të lartë të luftës, ashtu edhe ata shtetërorë, ndodhen në bankën e të akuzuarave nën akuza monstruoze të prokurorisë si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, edhe po të dalin të pafajshëm “nuk do të thotë që nuk është pa pasoja për vendin”, thotë Kasolli.

“Aq më tepër kur sot në Serbi epigonët e politikës së Milosheviçit ndodhen në pushtet, politikë kjo që ishte përgjegjëse për luftërat e tmerrshme dhe tragjeditë e panumërta që i shkaktoi në këto hapësira. Dhe të njëjtit priten pa kurrfarë pengese në sallonet e diplomacisë ndërkombëtare”.

Për Kasollin, është trishtuese krekosja e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në tentim për të treguar se është transformuar.

“Madje edhe para ish kancelares gjermane Angela Merkel, se si tani e tutje është i preokupuar me ‘Etikën Protestante dhe Frymën e Kapitalizmit’ të Max Weberit. Por që askush aty nuk ia rikujtonte qoftë nga stafi apo vet kancelaria se krahas Max Weberit, ai ka obligim ta lexojë edhe Karl Jaspersin dhe librin e tij të famshëm ‘The Question of German Guilt’. Sepse duke e lexuar këtë traktat filozofik dhe etik, ai ka shansin të mësojë nga përvoja e mirëfilltë gjermane e denazifikimit e të distancohet nga apoteoza e krimit. E jo të aktrojë”.

“Ta kuptojë se nëse njëmend është i përcaktuar për paqe, kjo nuk mund të arrihet pa përcaktimin e fajtorit kryesor për tragjeditë e shkaktuara. Ta pranojë se ende ai dhe shteti që e drejton është i zhytur në moçalin e fajit kriminal, politik, moral dhe metafizik”, thotë Kasolli.

Ndërkohë, Afrim Kasolli shprehet i shqetësuar si në Kosovë askush nuk merret me këtë punë.

“Kosova ndodhet në bankën e të akuzuarave dhe kjo ‘reklamë’ që po dominon sot do ta mbajë peng Kosovën për aq kohë sa zhvillohet ky proces”, thotë ai.

Për dallim nga Kasolli, i cili vlerëson se mediet ndërkombëtare po e trajtojnë me prioritet procesin e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Presidencë të Shqipërisë, që aktualisht analizon çështjet kombëtare dhe ndërkombëtare, Ilir Kulla, raportimin e medieve ndërkombëtare, e vlerëson si shumë sipërfaqësor.

“Mediat ndërkombëtare kanë raportuar atë që kanë parë deri tani nga ky gjykim. Fatkeqësisht shumë pak prej tyre janë thelluar në të shkuarën dhe rrethanat historike të konfliktit 97-99”, thotë ai.

“Një pjesë e tyre ngatërrojnë Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë me Gjykatën Penale të Krimeve të Luftës. Ato janë më shumë të fokusuara në pamjen e jashtme sesa në përmbajtje. Fatkeqësisht”, ka deklaruar Kulla në një prononcim për Albanian Post.

Ilir Kulla, Ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Presidencë të Shqipërisë

Kosova, ish presidenti i saj dhe lufta e UÇK-së mori vëmendje ndërkombëtare edhe njëherë. Shumë gazetarē që përfaqësonin mediume të ndryshme ndërkombëtare kishin zbarkuar në Hagë të Holandës për të ndjekur nga afër zhvillimet atje, për disa ditë rresht. Por, e gjithë kjo vëmendje nga jashtë nuk shihet pozitivisht, vlerëson analisti Kulla.

“Sigurisht pamja e jashtme e Kosovës nuk del pozitive aspak përkundrazi.  Por si gjithnjë gota duhet parë gjysmë e mbushur ose gjysmë e zbrazur. Në rastin konkret Kosova ka shpëtuar nga akuzat e trafikut të organeve. Por prapë akuzat janë të rënda, sepse bën fjalë për eliminim fizik shqiptarësh, civilë dhe ndoshta kundërshtarë politik”.

“E përsëris, nuk jemi në një nga momentet më të mira të historisë së Kosovës”, specifikon Kulla.

Çka shkruajtën mediet ndërkombëtare në ditën kur nisi gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë?

Gazeta The Guardian nis raportimin për këtë proces me luftën e Kosovës për çlirim kur një çerek shekulli më parë figura të larta ndërkombëtare i trokitën në derë Hashim Thaçit, komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, sekretaren e shtetit të SHBA-ve Madeleine Albright, liderin e demokratëve Sir Paddy Ashdown, Hillary Clinton e personalitete të tjera të cilët e mbështetën në luftën që po bënte kundër agresorit serb, për të kaluar pastaj tek aktakuza e cila e uli në bankën e të akuzuarve bashkë me tre shokë të tjerë, Rexhep Selemin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin.

The Guardian përmend aktakuzën e ngritur nga prokurorët specialë të Hagës e cila “përshkruan një fushatë të supozuar të vrasjeve, torturës dhe represionit kundër kundërshtarëve dhe anëtarët e pakicave etnike të drejtuar nga katër burrat”, duke i akuzuar katër të pandehurit për krime lufte të kryera gjatë konfliktit, duke përfshirë bashkëpunimin në vrasjen e 102 personave.

“Gjyqi, i cili u hap dy vjet pasi burrat u dorëzuan në juridiksionin e gjykatës dhe pritet të zgjasë deri në gjashtë vjet, tashmë duket i sigurt se do të rishkruajë historinë e konfliktit”, shkruan The Guardian.

Në fokus të kësaj gazete ishte edhe ndryshimi i aktakuzës dhe zhdukja e pretendimeve të Dick Martit për vrasje të të burgosurve dhe trafikim të organeve të tyre.

Se “Ish-udhëheqësi i Kosovës deklarohet i pafajshëm për akuzat për krime lufte” ishte titulli edhe i gazetës amerikane New York Times.

Hashim Thaçi, ish-presidenti dhe kryeministri, doli në gjyq në Hagë me akuza lidhur me luftën e përgjakshme të vendit për pavarësi, pason më tej shkrimi.

“Hashim Thaçi, ish-presidenti dhe kryeministri i Kosovës, shihet si një hero lufte në shumë pjesë të atdheut të tij, ku ai udhëhoqi vendin në luftën e tij për pavarësi nga Serbia që filloi gati një çerek shekulli më parë”.

Por pavarësisht kësaj, Thaçi ka një reputacion tjetër në disa qarqe, shkruan NYT “si lider politik i rebelëve që akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera pasi shumica myslimane e shqiptarëve etnikë në Kosovë kërkuan pavarësinë pas luftës në Bosnje”.

Këto dy vizione konkurruese u përplasën në Hagë, gjykatë kjo e financuar nga Bashkimi Evropian, po akuzon Thaçin dhe tre komandantë të tjerë të UÇK-së.

New York Times, një pjesë të mirë të shkrimit ja ka kushtuar luftës së UÇK-së për liri duke cekur edhe viktimat civile të shkaktuara në të, nga forcat paramilitare serbe.

“Sulmet brutale që filluan në vitin 1998 çuan mijëra njerëz në vendet fqinje derisa një fushatë ajrore e NATO-s e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara e detyroi Serbinë t’i jepte fund agresionit të saj në verën e vitit 1999. Deri atëherë, gati 850,000 njerëz ishin dëbuar ose ikur nga Kosova, dhe më shumë se 12,000 ishin vrarë”.

“Askush nuk është mbi ligjin:’ Hapet gjyqi i ish-presidentit të Kosovës”, është titulli i agjencisë ndërkombëtare të lajmeve Associated Press, për procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

AP shkruan se si Hashim Thaçi dha dorëheqjen nga detyra si President i Kosovës, në vitin 2020 për t’u mbrojtur kundër akuzave për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë luftës së vendit të tij për pavarësi nga Serbia 1998-99.

“Unë jam plotësisht i pafajshëm”, citon AP deklaratën e Thaçit dhe tre të akuzuarve të tjerë, në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Me pas, flitet për aktakuzën e ngritur nga prokurori Alex Whiting i cili po provon të dëshmojë që UÇK-ja, një forcë guerile që luftoi kundër ushtrisë së fuqishme serbe, kishte “një politikë shumë të qartë dhe eksplicite të synimit të bashkëpunëtorëve dhe tradhtarëve të perceptuar, përfshirë kundërshtarët politikë”.

Asocciatet Press shkruan edhe për Marshin për Drejtësi dhe mbështetjen që i dhanë kosovarët të akuzuarve në Hagë duke theksuar se “shumë kosovarë e konsiderojnë gjykatën me bazë në Holandë një padrejtësi dhe e shohin atë si një përpjekje për të rishkruar historinë e luftës së tyre për pavarësi”.

 

“Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaron se nuk është fajtor për krime lufte”, shkruan rrjeti britanik BBC.
Ky medium ndërkombëtar e ka nisur shkrimin me akuzën kundër ish-Presidentit Hashim Thaçi dhe tre të akuzuarve të tjerë për vrasjen e afro 100 njerëzve dhe mizori të tjera, përfshirë zhdukjet me forcë. Për të kaluar më pas tek UÇK të cilës i kushtoi vëmendje të veçantë duke shpalosur një historik të shkurtër për të.

“Lëvizja për pavarësi në Kosovë filloi pas vendimit të presidentit serb Slobodan Millosheviç në vitin 1989 për t’i hequr provincës statusin e saj vetëqeverisës”, shkruan BBC.

“Tensionet çuan në luftë në shkallë të gjerë në 1998, e cila përfundoi vetëm pasi një fushatë ajrore e NATO-s kundër Serbisë bëri që forcat e saj të largoheshin nga krahina”.

“Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaron se nuk është fajtor për krime lufte”, shkruan Al-Jazeera.

Në raportim për rastin, ky medium ndërkombëtar u përqendrua në detajet e aktakuzës mbi Thaçin dhe të tjerët, duke parashikuar një proces të gjatë, gjë që është konfirmuar edhe nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

“Aktakuza pretendonte se anëtarët e UÇK-së kryen krime në Kosovë dhe Shqipërinë veriore kundër qindra njerëzve që nuk merrnin pjesë në armiqësi”.

“Trajtimi i Serbisë ndaj popullsisë etnike shqiptare në Kosovë i dha shtysë UÇK-së rebele, e themeluar në fillim të viteve 1990. Dhuna u rrit në vitet 1998-99 ndërsa UÇK-ja luftoi për pavarësi kundër forcave të Beogradit të udhëhequra nga presidenti Slobodan Millosheviç”, shkruan Al-Jazeera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore