Lajme

Gjykata vendos arrest shtëpiak për policin nga Gjakova, i dyshuar për veprën penale “dhunim”


Gjykata Themelore në Gjakovë.

Gjykata Themelore në Gjakovë, ia ka vendosur masën e arrestit shtëpiak, policit të arrestuar i cili dyshohet se e ka kryer veprën “dhunim”.

Përmes një komunikate për media është thënë se ky vendim është marrë pas analizimit të kërkesës për vazhdimin e paraburgimit.

“Gjykata pas analizimit te kërkesës ka konsideruar se kërkesa PP/I.nr. 123/2023 te dt. 22.12.2023 për vazhdimin e paraburgimit kundër te pandehurit Enis Sefa nga Gjakova është e pabazuar dhe te njëjtën e ka refuzuar si te pabazuar”.

“Të njëjtit i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 (një) muaj, i cili sipas këtij aktvendimi llogaritet duke filluar nga dt.27.12.2023 nga ora 21.20 gjer me dt. 27.01.2024 nga ora 21.20.” thuhet në vendim i cili është siguruar nga mediumi Dukagjini.

Më 28 nëntor të 2023-ës, policit nga Gjakova i dyshuar për dhunimin e një të miture i ishte caktuar masa e paraburgimit nga Gjykata e Gjakovës.

Ndaj këtij vendimi kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit avokati i të dyshuarit, Meshari Selimaj.

Edhe Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar vendimin për paraburgim për klientin e tij.

Avokati i është drejtuar edhe Gjykatës Supreme, duke kërkuar heqjen e paraburgimit dhe caktimin e një mase më të lehtë.

Supremja e ka aprovuar kërkesën e avokatit.

Gjykata e Gjakovës kishte vendosur më 28 nëntor të këtij viti se E.S. duhet të mbahet në paraburgim.

Këtë vendim e ka vërtetuar edhe Apeli, Departamenti për Krime të Rënda më 5 dhjetor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore