Kosova

Gjykata ua vazhdon paraburgimin tre të dyshuarve për sulmin në Banjë


Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj tre të akuzuarve për pjesëmarrje në sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit më 24 shtator ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë  Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve D.M, B.S dhe V.T, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e PSRK-së dhe tre të pandehurve iu ka vazhduar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muaj, për secilin”, thuhet në njoftim të Gjykatës për media.

Sipas njoftimit, masa e paraburgimit të pandehurve iu është vazhduar nga data 24.12.2023 deri me datë 24.02.2024.

Përgjegjësinë për këtë sulm, Kosova ia hodhi Serbisë, por ajo e mohoi. Terroristi Milan Radojiçiç tha se ai e ka organizuar sulmin dhe se për të nuk e ka njoftuar askënd. Në fillim të dhjetorit, me kërkesë të Kosovës, Organizata Ndërkombëtare e Policisë, INTERPOL, lëshoi fletarrestim për Radojiçiç-in.

Ndërsa, në fund të shtatorit Policia e Kosovës kishte konfiskuar vilën e tij në liqenin e Ujmanit, ndërsa në të njëjtën kohë ka kontrolluar pronën e tij në pjesën Veriore të vendit, ku ishin sekuestruar edhe disa vetura dhe sende të tjera.

Radojiçiç, i cili është person i afërt i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, kishte qenë deri para pak kohe nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, njëherit të dirigjuarit e Beogradit.

Mirëpo, në ditën që mori përsipër sulmin terrorist të 24 shtatorit, ai njoftoi dorëheqjen e tij. Bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, e kanë dënuar në termat më të ashpër sulmin terrorist, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Për këtë ngjarje, Kosova ka akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë, ku edhe ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të merren masa ndëshkuese ndaj saj. Nga ana tjetër, Serbia, jo që nuk është distancuar nga ky sulm terrorist, por edhe ka shpallur ditë zie kombëtare në nderim të terroristëve të vrarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore