Lajme

Gjykata Themelore në Ferizaj, gjykata më transparente sipas FOL


Pas një procesi të monitorimit të Gjykatave Themelore të Kosovës, i cili ka zgjatur për një vit kalendarik, organizata jo qeveritare FOL, ka zgjedhur Gjykatën Themelore të Ferizajt, si institucionin më transparent karshi simotrave në qytetet tjera të Kosovës.

FOL, monitorimin e ka bërë kryesisht nga publikimi i vendimeve nga gjykatat e Kosovës për vitin 2022, teksa ka ndarë “Çmimin për Gjykatën më Transparente” për atë themelore të Ferizajt.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtoresha e FOL ka thënë se transparenca është një komponent shumë i rëndësishëm i sistemit gjyqësor dhe se Lëvizja FOL do të angazhohet që ajo të përmirësohet edhe më shumë.

“Sot kemi mbi 100 mijë aktgjykime të publikuara në uebfaqen e këshillit gjyqësor të Kosovës. Të gjitha aktgjykimet janë hulumtuar një nga një”.

“Lëvizja FOL do ta ndajë si çdo herë çmimin për gjykatën më transparente. E kemi zgjedhur një Gjykatë Themelore për shkak dendësisë së punës. Çmimi për gjykatën themelore më transparente për këtë vit shkon për Gjykatën Themelore në Ferizaj”, tha Demolli Nimani.

 

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tha se edhe institutcioni që ai drejton është i përkushtuar në rritjen e transaprencës.

“Siç është e njohur, transparenca është një sistem sjelljesh që nuk diskutohet por veprohet. Siç kemi theksuar edhe në takime tjera, sistemet kanë ndryshuar dhe gjyqësori e ka mundësinë që tua tregojë qytetarëve, punën e gjyqësorit nga shtëpia”.

Ndërsa, si sfidë ai përmendi mungesën e kapaciteteve që të publikohen në kohë rekord të gjitha vendimet e të gjitha instancave.

“Sigurisht gjithmonë ka qenë dhe mbetet sfidë, mungesa e kapaciteteve që të publikohen në kohë rekord të gjitha vendimet e të gjitha instancave”.

“KGjK është e gatshme ta zgjerojë kapacitetin për transparencë. Ju e dini që e kemi hapur komunikimin edhe me shoqërinë civile. Kemi takime të rregullta, që të përmirësohet sistemi gjyqësor”.

“Kemi bërë një nivel transparence edhe në pjesën e disiplinës, kemi zgjeruar komunikimin edhe me zyrat e komunikimit. Në këtë logjikë, mendojmë që punë KGjK-së të jetë sa më transparente. Në shumë raste vendimi plasohet në publik, me kërkesën e medieve, dhe fokusi ynë do të jetë që të publikohet në faqen e institucionit pa kërkesë”, tha Zogaj.

Ndërsa Krenare Sogojeva-Dermaku nga Agjencia për Informim dhe Privatësi duke treguar se institucioni të cilin ajo përfaqësoi shtyllë kryesore ka qasjen në dokumente publike, tha se asnjë institucion në Kosovë “nuk është perfekt”, por u shpreh e nderuar që ishte pojesë e këtij procesi për të ndarë të gjeturat e gjykatave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore