Lajme

Gjykata Speciale: Seanca e radhës për Salih Mustafën


Sipas njoftimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, me fillim në orën 11:00, pritet të mbahet konferenca për ecurinë e çështjes ndaj Salih Mustafës, ish-shefit të Inteligjencës në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Muajin e kaluar, katër persona janë paraqitur si viktima dhe kanë aplikuar përmes postës elektronike për t’u bërë pjesëmarrës në procesin gjyqësor kundër Mustafës.

Tre nga personat që u paraqitën si viktima vijnë nga e njëjta familje, thuhet në raportin që Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave ia ka dorëzuar gjykatësit Guillou.

Mustafa u arrestua më 24 shtator të 2020-tës dhe menjëherë u transferua në objektin e paraburgimit në Hagë. Ai është i arrestuari i parë i Gjykatës Speciale.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, aktakuza kundër tij u konfirmua më 12 qershor 2020.

Salih Mustafa, i njohur me nofkën e luftës si Komandant “Cali”,  ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën që e ngarkon për vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor e ndalim të kundërligjshëm të civilëve gjatë vitit 1999 në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore