Shqipëria

Gjykata liron nga burgu efektivin e RENEA-s, Altin Morina


Gjykata e Tiranës ka liruar nga burgu efektivin e forcave speciale RENEA, Altin Morina, i cili më 14 mars u arrestua me një shumë prej 113 mijë eurosh në makinën e tij.

Ajo caktoi të dielën e 16 prillit masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për Morinën.

Në bazë të dëshmisë së Morinës, ai i bëri me dije më herët trupës gjykuese se paratë i ka marrë 30 minuta përpara arrestimit të tij, nga një biznesmen dhe ato nuk vijnë nga aktivitete kriminale.

Madje, ka deklaruar po ashtu se është i gatshëm të bashkëpunojë me drejtësinë, në identifikimin e biznesmenit, i cili ia ka dhënë shumën e madhe monetare.

Mbi këtë të fundit, Morina ka thënë se i nevojiteshin për arsye personale.

Punonjësi 43-vjeçar në Repartin Renea është vënë në pranga me akuzat për pastrim të produkteve të veprës penale, fshehje e të ardhurave dhe shpërdorim detyre.

Po ashtu janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma të madhe në euro, paund e lekë shqiptare.

Ai mësohet se qarkullonte me automjet tip “Audi” dhe kishte me vete sasi të konsiderueshme parash.

Në kuadër të këtij operacioni, te Kodra e Diellit, shërbimet e Forcës së Posaçme Shqiponja kanë konstatuar dhe shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë automjetin e dyshuar së bashku me drejtuesin e tij shtetasin A. M., 43 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Shef i Stërvitjes te Reparti Special Renea.

Gjatë kontrollit dhe kryerjes së automjetit rezultoi se në serdiljen e pasagjerit, në vendin e parë të automjetit, ndodhej një qese plasmasi brenda të cilës kishte lekë, euro dhe paund.

Nga numërimi rezultoi se në qesen e palsmasit kishte rreth 113 mijë euro, rreth 290 mijë lekë të rinj dhe 80 paund, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore