Lajme

Gjykata franceze vendos kundër ekstradimit të 10 anëtarëve të Brigadave të Kuqe Italiane


Gjykata e Lartë franceze i tha përfundimisht jo ekstradimit të dhjetë terroristëve italianë që ishin strehuar në vend prej vitesh.

Kërkesa për ekstradim ishte bërë nga qeveria italiane dhe e mbështetur nga ajo e Parisit.

10 ish-terroristët që u strehuan në Francë dhe u arrestuan në vitin 2021 si pjesë e operacionit “hijet e kuqe” nuk do të ekstradohen në Itali.

Strehimi i militantëve të Brigadave të Kuqe, ka qenë një ndër aspektet kryesore të ndasive Francë-Itali, që kur ish-presidenti francez, Francois Mitterand, vendosi t’i hapë dyert grupimit ekstremist në 1985.

Italia në fakt, e ka kërkuar kaherë kapjen dhe ekstradimin e tyre sa më të shpejtë.

Gjykata hodhi poshtë ankesën e paraqitur nga Prokurori i Përgjithshëm Rémy Heitz, i cili në emër të qeverisë franceze kishte kundërshtuar jo ekstradimin e shpallur tashmë më 29 qershor 2022 nga Dhoma e Udhëzimit të Gjykatës së Apelit.

Gjyqtarët francezë e kishin arsyetuar refuzimin me faktin se shumë prej të arrestuarve ishin gjykuar në Itali në mungesë dhe nuk do të kishin pasur mundësi të mbroheshin në një proces të ri, pasi ligji italian nuk e ofron këtë garanci.

Për më tepër, gjykata pohoi se refugjatët kishin jetuar për 25-40 vjet në Francë, ku ndërtuan një situatë të qëndrueshme familjare, u integruan profesionalisht dhe socialisht, duke prishur të gjitha lidhjet me Italinë dhe për rrjedhojë ekstradimi i tyre do të kishte shkaktuar dëme në disproporcion me të drejtën e tyre për jetën private dhe familjare.

Gjykata vlerëson sot se arsyet e dhëna nga gjyqtarët në qershor 2022 janë të mjaftueshme dhe për këtë arsye refuzon ankesën.

Aktgjykimi kundër ekstradimit është tashmë i formës së prerë .

Kjo është një disfatë për autoritetet italiane që kishin paraqitur kërkesën për ekstradim, por edhe për qeverinë franceze që e kishte pranuar dhe që më 27 prill 2021 arrestoi dhjetë ish-militantët e luftës së armatosur.

Në një intervistë për gazetën e përditshme italiane “Corriere della Sera”, ministri frances i Drejtësisë Eric Dupond Moretti tha se ata ish-militantë të ekstremit të majtë që kanë ikur në Francë “unë i quaj terroristë”.

“Dua të përmend Cesare Battisti, i cili u mbështet nga një pjesë e inteligjencës franceze. Sapo mbërriti në Itali pranoi fajin, pasi kritikoi prej vitesh drejtësinë italiane, e cila është një drejtësi e pavarur, sovrane e një vendi të madh demokratik. Gjëja e dytë që duhet thënë është se, nga pikëpamja politike, ne bëmë atë që ishte e nevojshme për arrestimin e tyre. Gjëja e fundit është se drejtësia është padyshim e pavarur dhe sovrane, si në Francë ashtu edhe në Itali”.

Të menjëhershme kanë qenë reagimet për dënimin e Gjykatës së Lartë franceze.

Ndër të parët ishte Mario Calabresi, gazetari dhe djali i komisarit të vrarë nga terroristët në 1972.

“Të shohësh këta njerëz të shkojnë në burg nuk ka më kuptim” – shkruan ai në Twitter – “por ka një detaj të bezdisshëm dhe hipokrit”.

“Gjykata shkruan se ekstradimi do të kishte shkaktuar dëme joproporcionale. Por mendoni për dëmin joproporcional që kanë bërë duke vrarë bashkëshortët, baballarët dhe asnjëri prej tyre nuk ka pasur kurrë një fjalë pendimi, solidariteti apo dëmshpërblimi”.

Ndërsa Lorenzo Conti, djali i Landos, kryetarit të bashkisë së Firences, i vrarë nga Brigadat e Kuqe më 10 shkurt 1986 tha se “Evropa nuk ekziston dhe kjo është prova”.

“Kur një vend refuzon të ekstradojë njerëz që kanë qenë nga një vend tjetër i BE-së dhe nuk i kthen këtu për të vuajtur dënimin, do të thotë se ne nuk jemi vërtet një territor i bashkuar. Kjo është tallje”.

Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë Carlo Nordio theksoi se Italia ka bërë gjithçka në fuqinë e saj.

Çfarë ishin Brigadat e Kuqe?

Brigadat e Kuqe (Brigate Rosse) kanë qenë një grup i armatosur gueril i të majtës ekstreme në Itali. Ata janë të akuzuar për krime të dhunshme, ku ndër më famëkeqët, radhitet rrëmbimi dhe vrasja e ish-kryeministrit italian, Aldo Moro.

Të formuar në vitin 1970, Brigadat e Kuqe kërkuan të krijonin një shtet revolucionar nëpërmjet sulmeve të armatosura. Ndër kërkesat, edhe ajo e largimit të shtetit italian nga NATO-ja.

Sabotime, vjedhje bankash, rrëmbime dhe vrasje, janë pjesë e qasjes së brigadistëve gjatë viteve ‘70-‘80. Rreth 50 persona janë vrarë gjatë këtij intervali kohor në Itali.

Ata u shpërndanë në qytete, si Roma, Genova apo Venezia. Numri i aktivistëve u rrit ndjeshëm në Itali dhe aventurat e tyre kriminale e shënjuan historinë e Italisë.

Kulmimi i brigadistëve ishte pikërisht vrasja e Aldo Moro-s në vitin 1978. Të maskuar si punonjës të Alitalia-s, ata rrëmbyen Moro-n dhe vranë pesë truproja të tij. Pas 54 ditësh pengmarrje dhe një mungese bashkëpunimi nga Qeveria Italiane e asaj kohe, Brigadat e Kuqe vendosën të vrisnin Moro-n dhe të humbnin gjurmët.

Në fillim të viteve 1985, anëtarët filluan t’i drejtoheshin Francës, ku dhe iu garantua imunitet ndaj ekstradimit, nga ish-presidenti francez Mitterand.

Ky ishte një vendim, i cili kurrë nuk u kuptua nga opinioni publik dhe faktori ndërkombëtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore