Lajme

Gjykata Evropiane: Rusia është përgjegjëse për vdekjen e Litvinenko-s


Portreti i Aleksandër Litvinenko në kanavacë, Presidenti rus Vladimir Putin lart-djathtas, Aleksandër Litvinenko (djathtas-poshtë), asokohe zyrtar i shërbimit të sigurisë shtetërore të Rusisë me një koleg të maskuar gjatë një konference shtypi në Moskë

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka nxjerrë një vendim, ku thuhet se Rusia ishte përgjegjëse për vrasjen e ish-oficerit rus të sigurisë Aleksandër Litvinenko në Londër, në vitin 2006.

Litvinenko pasoi një vdekje agonizuese, pasi piu çaj të helmuar me polonium-210, një izotop të rrallë radioaktiv.

Ish-oficeri u sëmur më 1 nëntor të vitit 2006 dhe vdiq disa ditë më vonë.

Litvinenko, 43 vjeç, ishte një kritik i presidentit rus Vladimir Putin, i cili u largua nga Rusia për në Britani gjashtë vjet para se të helmohej.

Një hetim britanik i vitit 2016 arriti në përfundimin se Putin ndoshta miratoi një operacion të inteligjencës ruse për të vrarë Litvinenko-n.

Gjithashtu u zbulua se ish-truproja i KGB-së, Andrei Lugovoy, dhe një tjetër rus, Dmitry Kovtun, kryen vrasjen si pjesë e një operacioni që ndoshta drejtohej nga Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB), pasardhësi kryesor i KGB-së të epokës sovjetike.

“Gjykata konstatoi në veçanti se kishte një rast të fortë prima facie që, në helmimin e Litvinenko, Lugovoi dhe Kovtun kishin vepruar si agjentë të shtetit rus”, tha gjykata evropiane.

Rusia zyrtare mohon çdo përfshirje në vdekjen e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore