Lajme

Gjykata e Greqisë shpall të pafajshëm oficerët e policisë për vdekjen e aktivistit LGBTQ+


Demonstruesit jashtë gjykatës në Athinë duke kërkuar drejtësi për Zak Kostopoulos

Vendimi i Gjykatës Greke, për të shfajësuar katër zyrtarë të zbatimit të ligjit që ishin përfshirë në vdekjen brutale të një aktivisti LGBTQ+ në Athinë, ka alarmuar grupet e të drejtave të njeriut.

Ato e kanë cilësuar vendimin si plotësisht të padrejtë.

Dy burra u shpallën fajtorë të martën për pjesëmarrje në vrasjen e Zak Kostopoulos, por katër oficerët e policisë, të akuzuar gjithashtu për shkaktimin e lëndimeve trupore që përfunduan me fatalitet, u lanë të lirë.

Duke reaguar ndaj vendimit, drejtoresha e degës greke të “Amnesty International”, Glykeria Arapi, tha se: “Vendimi i sotëm është një shembull tjetër në Greqi ku viktimat e përdorimit të panevojshëm të forcës dhe familjet e tyre mbeten pa drejtësi”.

Gati katër vjet pasi Kostopoulos u rrah për vdekje në mes të ditës, aktivisti ishte kthyer në simbol të luftës për liri dhe barazi.

“Zak Kostopoulos nuk do të harrohet… ne e marrim personalisht vdekjen e tij të pakuptimtë dhe padrejtësinë e vendimit të sotëm. Si kundërpërgjigje, ne do të dyfishojmë përpjekjet tona për ta bërë realitet vizionin e Zak – një botë pa paragjykime, stigma dhe racizëm”, ka thënë grupi i aktivistëve.

Demonstruesit jashtë gjykatës në Athinë duke kërkuar drejtësi për Zak Kostopoulos

Anny Paparusou, avokat që përfaqëson familjen e Kostopoulos-it, tha se vendimi pasqyronte një kulturë të gjatë të mosndëshkimit të policisë në Greqi.

Që në fillim, rasti kishte ekspozuar jo vetëm homofobinë endemike në shoqërinë greke, por një kulturë abuzimi të përhapur në forcat policore të vendit.

“Kjo vjen në traditën e dhunës policore që nuk dënohet kurrë as nga gjykatat tona”, tha ajo. “Ndërsa ne mirëpresim vendimet e fajësisë, jemi të zhgënjyer dhe kundërshtojmë që katër oficerët të lirohen, pasi kemi prova të dokumentuara për pjesëmarrjen e tyre në krim”.

Kostopoulos, artist, kolumnist dhe aktivist i shquar, u vra pasi po kërkonte strehim nga sulmuesit e panjohur në një dyqan bizhuterish në qendër të Athinës në shtator 2018.

Zbulimi i tij brenda dyqanit shkaktoi bujë: pronari i dyqanit dhe një agjent imobiliar me zyra në të njëjtën rrugë e rrahën brutalisht atë.

Pamjet nga kamerat e sigurisë dhe telefonat treguan policinë duke u përpjekur me dhunë të arrestonin Kostopoulos, ndërsa ai dergjej në tokë; dëshmitarët e përshkruan skenën si një linçim. 33-vjeçari vdiq nga plagët e marra përpara se punonjësit e urgjencës ta çonin në spital.

Të gjashtë të pandehurit akuzoheshin për lëndim trupor me vdekje.

Pronari i dyqanit të bizhuterive, Spyros Dimopoulos, dhe agjenti i pasurive të patundshme, Thanassis Hortarias, iu dhanë 10 vjet burg pasi gjykata votoi, pesë me dy, për të mbështetur akuzën – edhe pse për shkak të moshës, Dimopoulos, 77 vjeç, do të lejohet të vuajë dënimin në shtëpi.

Edhe pse tre nga anëtarët e gjykatës, duke përfshirë kryetarin e trupit gjykues, rekomanduan që oficerët e policisë të dënoheshin për lëndime të rrezikshme trupore, burrat u shpallën të pafajshëm me një shumicë prej katër me tre.

Familja e Kostopoulos kishte bërë presion që të ngriheshin akuzat për vrasje.

Paparusou nuk përjashtoi apelimin kundër vendimit përpara Gjykatës Supreme të Greqisë.

Të martën vonë, mijëra mbështetës dolën në rrugë, duke kërkuar drejtësi për Kostopoulos.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore