Lajme

Gjykata e BE-së: Gratë do të pushohen nëse nuk heqin hixhabin


Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian, ka vendosur që gratë mund të shkarkohen nga punëdhënësit nëse refuzojnë të heqin hixhabet e tyre.

“Ndalimi i veshjes së ndonjë forme të dukshme të shprehjes së besimeve politike, filozofike ose fetare në vendin e punës mund të justifikohet nga nevoja e punëdhënësit për të paraqitur një imazh neutral ndaj klientëve ose për të parandaluar mosmarrëveshjet shoqërore”, tha gjykata e BE-së.

Pra, ky vendim u jep mundësinë bizneseve që t’u ndalojnë punonjësve të mbajnë shami. Kjo, për të projektuar një imazh neutralit tek klienti.

Precedenti ishte me dy punonjëse gra me shtetësi gjermane. Njëra punonte si arkëtare dhe tjetra ishte punonjëse për fëmijët me nevoja të veçanta. Të dyja u kërcënuan me pezullim nga puna për mbajtjen e hixhabit.

Sulaiman Wilms, i cili punon për Rrjetin Mysliman të BE-së, u shpreh se “ky gjykim nuk është vetëm një goditje ndaj grave muslimane aktive, dinamike dhe që punojnë, por është konfirmimi i një trendi të vazhdueshëm evropian për të kufizuar shprehjen fetare të besimit të tyre dhe praxis-in e jetës shpirtërore”.

Për Julie Pascoet, zyrtaren e lartë të avokimit të Rrjetit Evropian Anti-Racizëm Gjykata e BE-së vazhdon të dështojë në mbrojtjen e grave muslimane nga format diskriminuese strukturore dhe ndër-sektoriale.

“Përsëri, gjykata nuk merr parasysh ndikimin disproporcional që politikat e kompanive për ndalimin e shenjave fetare kanë te gratë muslimane si rezultat i paragjykimeve raciale dhe seksiste ndaj tyre”, deklaroi Pascoet.

Vendimi u jep gjykatave kombëtare në të gjitha vendet anëtare të BE-së fuqinë ligjore për të vendosur në mënyrë të ngjashme në rastet kur punëdhënësit kërkojnë që gratë të heqin shamitë e tyre.

Të dyja çështjet e paraqitura këtë herë në gjykatë kishin të bënin me gratë që kishin filluar të mbanin hixhab pasi ishin kthyer në punë pas lejes prindërore. Asnjëra nga gratë nuk kishte veshur një të tillë kur u punësua.

Ndalimet e hixhab-it kanë qenë një çështje e diskutueshme në Gjermani për vite me radhë ndërsa debatet franceze në lidhje me hixhab-in filluan në vitin 2004, kur një gjykatës vendosi që një nevojë e ngjashme për “neutralitet” ishte një arsye e justifikueshme për të shkarkuar një punonjës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore