Bota

Gjykata belge dënon 20 vite diplomatin iranian


Gjykata belge ka vendosur tё dënojë me 20 vite burg diplomatin iranian, Assadolah Assadi.

Diplomati i cili ishte vendosur në Vjenë akuzohet pёr komplot terrorist nё njё tubim tё opozitёs iraniane, në kryeqytetin francez të Parisit, në vitin 2018.

Avokatët e prokurorisë, thanë se Assadolah Assadi, u shpall fajtor nën akuzёn e ‘terrorizëmit të dyshuar’ pas një komploti për të bombarduar një tubim të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI)” në qershor të vitit 2018. Ky i fundit është një koalicion i organizatave dhe grupeve demokratike iraniane.

“Vendimi tregon dy gjëra. Një diplomat nuk ka imunitet për veprime kriminale dhe përgjegjësinë e shtetit iranian në atë që mund të kishte rezultuar në masakër” u shpreh para gazetarëve avokati i prokurorisë belge, Georges-Henri Beauthier, përpara gjykatës në Antwerp.

Diplomati u ndalua nga policia gjermane, franceze dhe belge. Ai u arrestua në Gjermani, ku nuk kishte imunitet diplomatik. Gjatë kohës kur ka planifikuar sulmin ishte dërguar në një delegacion iranian në Austri.

Flitet të jetë rasti i parë ku një zyrtar iranian akuzohet për “terrorizëm të dyshuar” në Bashkimin Evropian (BE).

Ndёrkohё, tre shtetas belg, janё arrestuar si bashkëpunëtorë në komplot. Këta të fundit kanë marrë po ashtu masën e arrestit me burg, si dhe i’u është hequr shtetësia.

Çifti belg-iranian Nasimeh Naami, 36 vjeç dhe Amir Saadouni, 40 vjeç, akuzohen se kanë pranuar nga Assadi gjysmë kilogram eksploziv “TATP” dhe një kapsollë.

Naami u dënua 18 vite dhe Saadouni 15 vite burgim.

Poeti iranian i cili jeton po ashtu në Belgjikë, Mehrdad Arefani, ka udhëzuar çiftin në tubim. Ai u burgos për 17 vite.

Nga ana tjetër, Irani ka mohuar përfshirjen në komplot dhe e ka quajtur pretendimin si “trillim të cekët”.

Rasti tregon gatishmërinë e Iranit për të kryer operacione dhe për të ushtruar ndikim politik në Evropë, e cila ka ndihmuar në mbajtjen gjallë të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, duke siguruar një lidhje kyçe për Iranin në Perëndim.

Maryam Rajavi, liderja e organizatës Muxhahedinët e Iranit (MEK), një organizate që ka qëllim përmbysjen e qeverisë iraniane, tha se gjyqi “konfirmoi planifikimin e përhapur të regjimit për spiunazh dhe terrorizëm në Evropë”. Ajo i bëri thirrje BE-së që të tërheqë ambasadorët nga Teherani dhe të mbyllë ambasadat iraniane në Evropë.

Komploti tensionoi lidhjet e Iranit me kombet evropiane.

Në shenjë hakmarrje për komplotin terrorist, Franca dhe BE bllokuan pasuritë e agjensisë së inteligjencës iraniane.

Zyrtarët evropianë tani, janë të shqetësuar se Irani do të hakmerret duke ekzekutuar Ahmedreza Djalali, një shkencëtar suedez-iranian që punon në Bruksel, i cili është dënuar me vdekje për spiunazh të pretenduar në Iran.

Vendet evropiane kanë fajësuar vitet e fundit Iranin për komplote të tjera të dyshuara kundër disidentëve. Janë shënuar dy vrasje në Hollandë në vitin 2015 dhe 2017 dhe një vrasje të dështuar në Danimarkë në vitin 2018.

Shqipëria po ashtu në vitin 2019 tha se kishte shmangur disa sulme të planifikuara nga agjentët iranianë kundër MEK-ut. Rreth një vit më parë, në dhjetor 2018, Shqipëria dëboi ambasadorin e Iranit dhe një diplomat tjetër për „dëmtimin e sigurisë kombëtare”. Dhe në janar të 2020, po ashtu, Shqipëria dëboi dy diplomatë iranianë. Ata u dëbuan “për shkak të zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”.

Shqipëria, ka mirëpritur në 6 vitet e fundit rreth 3 mijë anëtarë të MEK-ut. Zhvendosja e tyre në Shqipëri, nga bazat amerikane në Irak, ku u rrezikohej jeta nga sulmet me raketa të qeverisë iraniane, është bërë në bazë të një marrëveshjeje mes qeverisë amerikane dhe asaj shqiptare, të nënshkruar në vitin 2013, me bazë motive humanitare.

Fletorja e Assadi-it, e paraqitur si provë, tregonte se diplomati kishte vizituar 11 vende të ndryshme të Evropës, duke përfshirë xhamitë dhe institutet Shiite në Gjermani, Austri, Hollandë dhe Francë. Vizitat e tij përfshinin veçanërisht Qendrën Islamike në Hamburg, një qendër e përdorur për aktivitetet pro-iraniane në Evropë.

Ministria e Brendshme gjermane e ka quajtur xhaminë e Hamburgut “një nga qendrat më aktive të propagandës iraniane në Evropë”, detyra aktuale e së cilës është “përhapja delikate e një shteti teokratik islamik pas shembullit iranian”.

Autoritetet britanike gjithashtu, vitin e kaluar hetuan Qendrën Islamike të Anglisë, pasi ajo organizoi një vigjilje të ndjekur nga 2 mijë njerëz për gjeneralin iranian, Qassem Soleimeni, i cili ishte vrarë nga SHBA përmes nje sulmi me dron në Irak.

Inteligjenca norvegjeze, në nëntor, i kërkoi Ministrisë së Drejtësisë të vendit të konsideronte dëbimin e një kleriku në Qendrën Imam Ali në Oslo, të mbështetur nga Irani.

Në konferencën globale për dënimin e diplomatit, Rajavi foli rreth integrimit të forcave terroriste me regjimin e vendit. Sipas saj, forca terroriste Qods është praktikisht e integruar me Ministrinë e Jashtme në vend, në shumë fusha. Dhe, në shumicën e rasteve, vetë Ministri i Jashtëm vepron si një shërbëtor dhe lajmëtar i Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore