Lajme

“Gjueti shtrigash”, e quan Trump procesin kundër tij


“Nuk e bullizova unë zëvendëspresidentin Mike Pence, që të kthente rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020”.

Donald Trump ka dalë për herë të parë në median e gjerë me këtë deklaratë, sa i përket procesit që po zhvillohet kundrejt figurës së tij nga ana e një komisioni të posaçëm hetimor me ligjvënës amerikanë.

Proces ky, i cili ka marrë formën e seancave publike dhe të transmetuara në televizion në oraret më të ndjekura për njerëzit.

Pikërisht ky komitet, ka dalë disa herë me deklarata shumë të forta, ku dy prej tyre, janë ato të cilat kanë bërë më shumë bujë.

E para, lidhet me protestat në Capitol Hill më 6 janar 2021, ku pretendohet se Trump ka qenë pjesë e një “grushti shteti” dhe ka dashur që me forcë të zhbëjë rezultatin zgjedhor, ku Joe Biden u shpall fitues.

Çështja e dytë lidhet me figurën e Mike Pence, i cili nën administratën Trump, ka shërbyer si numri dy i Shtëpisë së Bardhë.

Sipas komitetit, Trump ka ushtruar presion të madh mbi këtë të fundit, për të zhbërë rezultatin, i cili fliste kundër tij dhe për të mos e kaluar certifikimin zgjedhor në Senat. Pence gjithsesi veproi sipas ligjit dhe Kushtetutës amerikane.

Mirëpo, sipas vetë Trump, këto bëjnë pjesë në kuadrin e shpifjeve dhe janë fakte tërësisht të fabrikuara nga komisioni.

Madje, ai arrin deri aty, sa të thotë se filmime apo deklarata të njerëzve të ndryshëm janë manipuluar, në mënyrë që të godasin atë drejtpërdrejt dhe të ulin figurën e tij për të ardhmen.

Trump i shpëtoi shkarkimit nga detyra si President dy herë dhe njëra – pas përfundimit të mandatit – lidhej pikërisht me këto ngjarje në Capitol Hill.

Kongresi amerikan e shkarkoi Trumpin, por ishte Senati, ai i cili nuk arriti konsensus për këtë gjë.

Donald Trump.

Një batutë publike të radhës, ish-presidenti amerikan nuk ia kurseu as zëvendësit të tij gjatë mandatit katër-vjeçar.

“Mike Pence kishte mundësinë të bëhet i madh, të hynte në histori. E kishte një shans”, deklaroi Trump. “Por ai nuk pati guxim ta bëjë këtë gjë dhe e them zemërthyer, pasi ai më pëlqen”.

Me këto fjalë, Trump ritheksoi se i gjithë procesi, është i njëanshëm dhe në terma konkretë, ai mendon se kemi të bëjmë me një “gjueti shtrigash”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore