Lajme

Gjoshi i PDK-së: Osmani është izoluar nga bota, s’ka rezultat në politikën e jashtme


Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës Betim Gjoshi

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës Betim Gjoshi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se një presidente që e lejon bashkëshortin e saj t’i kërkojë nga Ministria e Punëve të Jashtme 396 euro si shpenzime të tij pas infektimit me COVID-19, po tenton ta paraqesë vetën se është kursimtare.

Madje sipas tij, Osmani nuk është kursimtare, “ajo është pothuajse tërësisht e izoluar nga bota”.

Ky postim i Gjoshit vjen pasi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar me një gjuhë të ashpër ndaj atyre që sipas saj “kanë tentuar të ndërtojnë narrativen se shpenzimet shumëfishë më të vogla të kabinetit të saj ishin rrjedhojë e izolimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, duke i quajtur “recidivistë të pushtetit”

Gjoshi ka shtuar se “së shpejti do të bëhet një vit që nga dita kur jeni zgjedhur nga Kuvendi për Presidente të Republikës dhe gjatë kësaj kohë ju nuk keni shënuar asnjë rezultat të vetëm në politikën e jashtme, e në politikën e brendshme ju vazhdoni ta luani rolin e noteres së Kurtit”.

“Fakti se zonja Osmani dhe i gjithë kabineti i saj merren me reagime ndaj çdo personi që shkruan në rrjete sociale, tregon për batallëkun që e ka kapluar Zyrën e Presidentes. Nuk bëhet fjalë se aty punohet për njohje të reja të shtetit të Kosovës apo për anëtarësime në organizata ndërkombëtare”, shkroi Gjoshi.

“Sot, vetëm disa presidentë nëpër botë mund të mburren se shpenzimet e udhëtimeve i kanë minimale. Kjo është fatkeqësi dhe jo një çështje kursimi, sepse nuk udhëtojnë për askund dhe nuk i pret askush. Këtu e gjen veten presidentja Osmani”.

Ai ka theksuar se takimet e presidentëve paraardhës me presidentët e shteteve më të fuqishme të botës, “zonja Osmani nuk mund t’i shohë as në ëndrrat e saj më të mira”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore