Shqipëria

Gjiknuri takohet me Glover për zgjedhjet vendore, vrasja në Shëngjin s’ka arsye politike sipas tij


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, ka zhvilluar një takim me shefen e misionit të monitorimit të zgjedhjeve (ODIHR) në Shqipëri, ku ka diskutuar për mbarëvajtjen e tyre, si edhe ka bërë disa komente sa i takon vrasjes së ndodhur në Lezhë tre ditë më parë, ku biznesmeni Ardian Nikulaj u ekzekutua me shtatë plumba.

Fillimisht, Gjiknuri bëri me dije për mediat se pas takimit me Glover, është vënë re zhvillimi i një fushate të qetë zgjedhore, ku asnjë prej palëve nuk ka shfaqur shqetësime.

“Kishim pyetje në lidhje me listën e zgjedhësve. Gjëra teknike, administrative dhe nuk vënë në pikëpyetje mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri”, nënvizoi ai.

Sa i takon vrasjes së Nikulajt ndërkaq, sipas Gjiknurit, ajo nuk ka sfond apo arsyetim politik të fshehur pas.

E kundërta e kësaj, pra një përfshirje e politikës në ngjarje, do të ishte një spekulim dhe etiketim për ngjarjen kriminale, shtoi më tej ai.

Ditët e mëparshme, Glover ka zhvilluar takime edhe me aktorët e opozitës, duke nisur nga Sali Berisha, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.

“Bëra të qartë për t’i dhënë ndihmë dhe informacion të plotë për mënyrën se si deri tani fushata është zhvilluar, të gjitha shkeljet nga qeveria, tenderat e hapur, aktivistin që ka në funksion të plotë, administratën që e kanë vënë në funksion të zgjedhjeve”, ka shprehur shqetësimin ky i fundit, tek shefja e misionit të ODIHR.

Më 17 prill ndërkohë, ishte Meta ai i cili ndau me ambasadoren shqetësimin lidhur me listat e zgjedhësve dhe qëndrimet e Ministrisë së Brendshme dhe KQZ-së, të cilat, për Metën kanë krijuar problematika lidhur me ndryshimin e qëllimshëm të tyre për të krijuar paqartësi tek zgjedhësit.

Pas dëgjimit të ankesave nga Meta, Glover ka zhvilluar një takim me Sali Berishën.

Ky i fundit në deklaratën pas takimeve, theksoi se “PD-ja është e vendosur për të çuar përpara procesin elektoral”.

“Mendoj se zonja Glover ishte në një takim për t’u informuar mbi pikëpamjet, faktet dhe zhvillimet sipas PD-së, të këtyre zgjedhjeve në Shqipëri. Ne paraqitëm të gjithë problematikat”, tha Berisha, i cili mendon se është ende në krye të selisë blu.

Përplasja Berisha – Glover

Glover vëzhgoi zgjedhjet e 1996, ku Partia Demokratike fitoi, por se pati shumë kontestime nga palët e tjera.

Raporti i misionit të saj ishte një nga më negativët, me shkelje të rënda gjatë procesit zgjedhor.

Me në krye Glover, raporti i ODIHR-it i cilësoi zgjedhjet e 96-s si “jo të lira dhe të ndershme”.

Fill pas kësaj Berisha, në cilësinë e presidentit e quajti britanike “kapomafia” dhe e shpalli “non grata”.

Por, Glover sërish u kthye në vend në 2009 ku vëzhgoi zgjedhjet parlamentare dhe më pas në 2015 dhe 2019 ato lokale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore