Aplikacione

Gjigantët e teknologjisë mund të detyrohen të hapin shërbimet ndaj firmave të tjera në BE


Në Bashkimin Evropian po hyjnë në fuqi rregulla të reja të krijuara për të frenuar dominimin e kompanive të mëdha të teknologjisë.

Gjigantët e teknologjisë, referuar Aktit të Tregjeve Digjitale (DMA), mund të detyrohen të hapin shërbimet dhe platformat e tyre ndaj firmave dhe zhvilluesve të tjerë.

Kështu, aplikacionet e mesazheve mund të kërkohen për të punuar me aplikacione më të vogla rivale.

Në BE, akti pritet të ndryshojë rregullat për kompanitë me madhësi dhe ndikim të madh.

Por disa nga firmat më të mëdha kanë shprehur shqetësimin për ndikimin e mundshëm të DMA-së në siguri dhe inovacion.

Sipas DMA-së, aplikacionet më të vogla të mesazheve do të jenë në gjendje t’u kërkojnë gjigantëve të teknologjisë që të lejojnë përdoruesit e tyre të dërgojnë dhe të marrin mesazhe përmes platformave të tyre.

Kurse thirrjet audio dhe video ndërmjet dy përdoruesve individualë ose grupeve të përdoruesve në platforma të ndryshme nuk do të ndodhin për katër vjet.

Po ashtu firmave më të mëdha mund t’u kërkohet të lejojnë përdoruesit e tyre të zgjedhin dyqane të ndryshme aplikacionesh.

Google-it mund t’i kërkohet të mos promovojë shërbimet e veta lokale, të udhëtimit ose të punës mbi ato të rivalëve në rezultatet e kërkimit

Ndërsa Apple-i mund të mos jetë në gjendje t’i detyrojë përdoruesit të përdorin shërbimin e vet të pagesave për blerjet e aplikacioneve

Ndërkohë, kompanitë që nuk do ta respektojnë DMA-në mund të përballen me gjoba deri në dhjetë për qind të xhiros së tyre vjetore në mbarë botën për shkeljen e parë dhe deri në 20 për qind për shkelje të përsëritur të rregullave.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore