Lajme

Gjermania riatdheson gra dhe fëmijë nga kampi i dyshuar i ISIS-it në Siri


Gjermania ka riatdhesuar 10 gra dhe 27 fëmijë nga një kamp në Sirinë verilindore ku mbaheshin anëtarë të dyshuar të ISIS-it.

Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock ka bërë me dije se grupi u riatdhesua nga kampi Roj në atë që e quajti një operacion “jashtëzakonisht të vështirë”.

Sipas saj, disa nga nënat u morën në paraburgim menjëherë pas mbërritjes në Gjermani.

“27 fëmijët janë viktima të ISIS-it dhe ata kanë të drejtë për një të ardhme më të mirë larg ideologjisë vdekjeprurëse dhe gjithashtu të jetojnë në siguri, siç do të dëshironim për fëmijët tanë”, ka thënë ajo.

Baerbock ka shtuar gjithashtu se “nënat duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre”.

Më parë, Gjermania ka riatdhesuar 23 fëmijë dhe tetë nënat e tyre nga Roj në tetor.

Në të njëjtën kohë, Danimarka fqinje ka riatdhesuar 14 fëmijë dhe tre gra.

Nga ana tjetër, ministrja Baerbock ka falënderuar autoritetet në Siri dhe “partnerët amerikanë, të cilët edhe një herë dhanë mbështetje logjistike”.

“Shumica e fëmijëve gjermanë, nënat e të cilëve janë të gatshme të kthehen në Gjermani, janë sjellë në siguri”, ka ravijëzuar ajo.

Dhe se tani “ka vetëm disa raste të veçanta për të cilat po vazhdojmë të punojmë për zgjidhje individuale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore