Lajme

Gjermania me tjetër donacion për FSK-në


Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, të enjten ka pranuar donacion tre kamion të autoshkollës me vlerë prej 405 mijë eurosh nga Gjermania.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Sot në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes pranuam tre kamionë të autoshkollës në vlerë prej 405.000€ si donacion nga Gjermania, duke lehtësuar kësisoj përmes këtyre automjeteve zhvillimin e orëve praktike për ushtarakët të cilët janë në proces të licensimit për kategorinë C”, ka shkruar Mehaj.

Ai tutje ka thënë se ka falënderuar ambasadorin e Gjermanisë për përkrahjen që i ofrohet Kosovës në këtë drejtim.

“Me këtë rast, në ceremoninë e pranim-dorëzimit falënderova zëvendës ambasadorin e Gjermanisë në Republikës e Kosovës, z. Mathias Conrad, për mbështetjen e vazhdueshme që shteti gjerman ofron për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe shtetin tone”.

Edhe më 13 janar, Gjermania i kishte dhuruar Forcës së Sigurisë së Kosovës, uniforma për mbrojtje nga bombat.

Ndryshe, Forca e Sigurisë së Kosovë, përkitazi me moshën, është një strukturë e organizuar mirë, por për shkak të buxhetit të vogël dhe kufizimeve të tjera, qëndron shumë dobët me armatimin e rëndë.

FSK-ja vazhdon që ende të mos ketë armë të krahut, armë anti-tank, armë për mbrojtje kundër-ajrore dhe gjithashtu nuk ka helikopterë për bartjen e njësiteve prej një vendi në vendin tjetër.

FSK shumicën e armëve i ka të dhuruar. Në vitin 2021, Forcat e Sigurisë së Kosovës u patën pajisur me 24 mjete ushtarake të tipit “Humvee”, të cilat kishin ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Përgjegjësitë e reja të FSK-së kanë të bëjnë me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, qytetarëve, pronave dhe interesave të Republikës së Kosovës, si dhe mbështetje ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrjen në operacionet ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore