Lajme

Gjermania dhe Holanda pezullojnë riatdhesimet e emigrantëve afganë


Autoritetet gjermane dhe holandeze kanë thënë se janë ndaluar riatdhesimet e detyruara të emigrantëve afganë, për shkak të përkeqësimit të sigurisë në Afganistan, ndërsa talebanët vazhdojnë me përparimin e tyre të shpejtë në veri të vendit.

“Për shkak të zhvillimeve aktuale në situatën e sigurisë, ministri i Brendshëm ka vendosur të pezullojë dëbimet në Afganistan për momentin”, shkroi zëdhënësi i ministrisë së Brendshme të Gjermanisë, Steve Alter.

Ndërsa në Hagë, sekretarja holandeze për drejtësinë dhe sigurinë, Ankie Broekers-Knol, njoftoi një “moratorium mbi vendimet për dëbimet”.

Ndalimi “do të zbatohet për gjashtë muaj dhe do të zbatohet për shtetasit e huaj me kombësi afgane”, shkroi ajo në një letër drejtuar parlamentit holandez.

Lëvizja e së mërkurës nga gjermanët dhe holandezët shënoi një “kthesë të mprehtë U” nga pozicioni i tyre i mëparshëm.

Zyrtarët kishin thënë të martën se të dy qeveritë ishin bashkuar me homologët e tyre në Austri, Belgjikë, Danimarkë dhe Greqi për t’i shkruar letër ekzekutivit të Bashkimit Evropian.

Afganistani i bëri thirrje BE-së në korrik që të ndalojë dëbimet e detyruara për tre muaj, ndërsa forcat e sigurisë luftojnë ofensivën talebane para tërheqjes së plotë të ushtrisë amerikane nga Afganistani më 31 gusht.

Talebanët mësyjnë qytetin afgan në veri të Kabulit

Kryengritësit talebanë kanë pushtuar qytetin kryesor afgan të Pul-e-Khumri – 140 milje në veri të kryeqytetit Kabul – të mërkurën e 11 gushtit, duke u dhënë kryengritësve kontrollin e një kryqëzimi strategjik rrugor që lidh Kabulin në veri dhe perëndim.

Këtë e kanë konfirmuar dy zyrtarë në qytet. Ata shtuan se vendi ra në duart e talebanëve pas luftimeve të ashpra të martën – me zyrtarët dhe forcat e sigurisë që braktisën komplekset e tyre.

Nga ana tjetër, një zëdhënës i talebanëve në median sociale Twitter njoftoi se kanë marrë dhe kontrollin e kryeqytetit të provincës Baghlan.

Imazhet në mediat sociale treguan flamurin e talebanëve në portat e qytetit dhe luftëtarët kryengritës brenda qytetit.

Nëse konfirmohet, Pul-e-Khumri do të ishte i teti nga 34 kryeqytetet krahinore të zaptuara nga lëvizja islamike e ashpër në më pak se një javë.

Rënia e qytetit nga talebanët do të ishte një goditje masive për qeverinë afgane, duke kërcënuar qytetet e mbetura në veri të Afganistanit që nuk janë nën kontrollin e kryengritësve, përfshirë Mazar-i-Sharif dhe Faizabad.

Ndërkohë presidenti amerikan Joe Biden ka deklaruar se nuk pendohet për vendimin e tij për t’u tërhequr trupat nga Afganistani.

Ai vuri në dukje se Washington-i ka shpenzuar më shumë se 1 trilion dollarë gjatë 20 viteve dhe ka humbur mijëra trupa.

Biden shtoi se SHBA-të do vazhdojnë të ofrojnë mbështetje të konsiderueshme ajrore, ushqim, pajisje dhe paga për forcat afgane.

Gjatë dy muajve të fundit, talebanët kanë zgjeruar me shpejtësi territorin që kontrollojnë në rreth 65% të vendit, duke përfshirë një pjesë të madhe të zonave rurale. Një e treta e kryeqyteteve krahinore të vendit janë nën kërcënim.

Shefi ushtarak taleban lëshoi ​​një mesazh audio për luftëtarët e tij të martën, duke i urdhëruar ata të mos dëmtojnë forcat afgane dhe zyrtarët qeveritarë në territoret që ata pushtuan.

Rënia e Farah-it pasoi në zaptimin e Zaranj-it të premten, e cila i hapi rrugë dy ditë më vonë marrjen e kontrollit të Kunduz-it.

Kjo e fundit, një qytet strategjik pranë kufirit me Tajikistan-in dhe një qendër e rëndësishme politike dhe ushtarake.

Grupi gjithashtu ka marrë kontrollin e Sheberghan-it, kryeqytetin e provincës veriore Jawzjan, Taloqan në provincën Takhar, Sar-e Pul në provincën veriore me të njëjtin emër dhe Aybak në provincën e Samangan.

Sipas të dhënave nga Bashkimi Evropian, rreth 400 mijë afganë janë zhvendosur nga luftimet në muajt e fundit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore