Shqipëria

Gjendet trupi i dekompozuar i një 39-vjeçari nga Koreja e Jugut në banesën në Shkodër


Në Shkodër është gjetur trupi i dekompozuar i një 39-vjeçari nga Koreja e Jugut në banesën e tij e marrë me qira.

Dyshimet janë që ai ka muaj që ka ndërruar jetë.

Nga këqyrja paraprake e trupit të 39-vjeçarit, nuk janë konstatuar shenja dhune.

Kurse nga kontrollet e imtësishme në këtë banesë, janë gjetur disa doza të dyshuara të lëndëve narkotike.

Paraprakisht dyshohet se shtetasi D. K. e ka humbur jetën nga mbidoza e lëndëve narkotike.

Mbrëmjen e djeshme, salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër ka marrë njoftim nga shtetasi A. V., 38 vjeç, se në banesën që kishte lënë me qira, në lagjen “Naim Gjylbegu”, kishte gjetur të dekompozuar trupin e shtetasit D. K., 39 vjeç (qiramarrësi).

Ai ka lindur në Korenë e Jugut dhe ishte banues në Shkodër që nga muaji shkurt i vitit 2022.

Sipas deklarimeve të 38-vjeçarit, ai kishte shkuar në këtë banesë, pasi prej muajsh nuk kishte përgjigje nga qiramarrësi i saj, shtetasi D. K.

Dhe kur ka konstatuar trupin e dekompozuar të këtij shtetasi, ka njoftuar menjëherë Policinë.

Sakaq, grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore