Lajme

Gjendet guri lustrues neolitik në Dorset


Në pamje të parë dukej si asgjë më shumë se një gur i thyer i përzier mes shumë të tjerëve në një luginë në West Country.

Por sipërfaqja e lëmuar dhe me shkëlqim në gur ka treguar se është shumë i veçantë.

Është një polissoir ose gur lustrues jashtëzakonisht i rrallë, i përdorur 5 mijë vjet më parë nga njerëzit neolitikë për të lëmuar mjete të tilla si sëpata.

Zbuluar në rezervatin kombëtar të natyrës Lugina e Gurëve në Dorset, ai është vetëm polissoiri i dytë i gjetur – i mbërthyer në tokë në pozicionin e tij origjinal – në Angli.

Polissoiri u gjet rastësisht teksa vullnetarët pastronin për të ekspozuar gurët sarsen që ishin fshehur nga bimësia gjatë dekadave.

Anne Teather dhe Jim Rylatt, drejtorët e Past Participate CIC, një kompani jofitimprurëse që i ndihmon njerëzit të mësojnë më shumë rreth trashëgimisë lokale, po punonin në një pjesë tjetër të luginës kur vendosën të shëtisnin për të parë se si po ecnin.

Rylatt mbërriti atje i pari dhe pa gurin.

“Është një gur relativisht i paprekshëm nga njëra anë”, ka thënë ai.

Por më pas ai hoqi disa gjethe dhe gjeti zonën me shkëlqim dhe të lëmuar.

“Është e sigurt të them se isha i befasuar. I vetmi gur i gjetur në vend në Angli u gjet në vitet 1960 në Fyfield Down”, ka thënë ai.

“Mund të ketë pasur njerëz që bënin gjëra të tjera këtu, ndoshta përpunonin lëkurën e kafshëve, prisnin mishin për të bërë darkë”.

Kurse Teather ka treguar se polissoiri ishte afër një rruge të lashtë. “Mund të imagjinoni njerëz që vinin te guri për të lustruar sëpatat. Ky nuk ishte domosdoshmërisht një vend vendbanimi, por një vend ku njerëzit vinin dhe lëviznin”.

Sëpatat prej guri u përdorën nga njerëzit e hershëm bujqësor të neolitit për të pastruar pyjet dhe për të ndërtuar shtëpi dhe monumente.

Ato bëheshin nga lëndë të para të ndryshme si stralli, shtufi vullkanik dhe graniti.

Ka të dhëna se shumë sëpata guri janë lëvizur gjerësisht në kohët parahistorike, ndoshta janë tregtuar si pjesë e sistemeve të shkëmbimit ose janë bartur nga pronarët e tyre nga burime të largëta ku guri është nxjerrë.

Pas zbulimit të polisoirit, zona përreth gurit i është nënshtruar gërmimeve dhe analizave specialistike për të parë nëse ka ende gjurmë të krijuesve të sëpatave prej guri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore