Lajme

Gjeka: Koalicioni qeverisës në Mal të Zi s’është pro serbe, por i prirë nga vlerat evropiane


Fatmir Gjeka

Sipas Ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në Qeverinë e re të Malit të Zi, Fatmir Gjeka, koalicioni qeverisës, bartësi i të cilit është Lëvizja “Evropa Tani”, është i prirë nga vlerat evropiane.

Këto komente, Gjeka i bëri në një intervistë për “EuronewsAlbania”, duke folur për qeverinë e re të Malit të Zi, ku bënë pjesë edhe koalicioni “Për të Ardhmen e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro ruso-serb.

“Koalicioni nuk është proserb, është qeveri dominante evropiane. Kryetari i parlamentit [Andrija Mandiç] është i ish-atyre subjekteve pro serbe, por me një deklaratë ka premtuar se do bëjë një hap përpara”, ka thënë Gjeka.

Gjeka tha ta ketë parë reagimin e opinionit publik shqiptar pas zgjedhjes së kryetarit të kuvendit Mandiç – i cili Presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin-in, e konsideron president të tij.

“Është zgjidhur një kryetar parlamenti, e kam parë reagimin e opinionit publik shqiptar, 75 për qind e qytetarëve të Malit të Zi janë pro BE. Një hap është bërë mbrëmë që subjektet që deri dje janë targetuar si subjekte pro serbe kanë nënshkruar një marrëveshje me gjithë subjektet që prej tani do mbështesin vlerat euroatlantike”.

Sa i përket shqiptarëeve në Mal të Zi, Gjeka theksoi se mendojnë “me një kokë”, dhe se “kemi një vizion, që është BE, NATO”.

“Gjithë Ballkani në BE dhe Mali i Zi ndoshta do jetë shteti i parë që do anëtarësohet në BE”, beson ai.

Mëngjesin e së martës në Mal të Zi, është zgjedhur qeveria e re me kryeministër Milojko Spajiç-in – liderin e Lëvizjes “Evropa Tani”.

Kabineti i Milojko Spajiç-it.

Shqiptarët në këtë qeveri do të kenë 3 ministri, përfshirë një zëvendëskryeministër.

Sa i përket partive shqiptare, Nik Gjeloshaj është zëvendëskryeministër për Politikat Ekonomike dhe Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Fatmir Gjeka është ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve dhe Marash Dukaj është Ministër i Administratës Publike.

Milojko Spajiç zgjidhet kryeministër i Malit të Zi, tre shqiptarë pjesë e kabinetit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore