Stil

Giorgio Armani nderohet me Kryqin e Madh të Kalorësit


Giorgio Armani - Stilist mode

Ikona e modës italiane, Giorgio Armani, ka fituar Kryqin e Madh të Kalorësit në Palazo del Quirinale të Romës – nderimi më i lartë civil që Italia i bën këtij personi me influencë internacionale.

Ky vlerësim pasqyron karrierën e palodhur prej gjashtë dekadash të Armani-t në industrinë e modës dhe statusin e tij si një nga dritat kryesore të Italisë  në sektorët e modës, stilit të jetesës dhe luksit.

Çmimi Armanit iu nda përmes një ceremonie private në një nga tri rezidencat zyrtare të presidentit italian, Sergio Matarellas, ndërkohë që stilistit të famshëm italian iu dha në mënyrë specifike nderimi për shërbimet e tij ndaj modës dhe artit.

Sergio Matarella dhe Giorgio Armani.

“Ky titull ka një kuptim të veçantë për mua. Vjen nga Presidenti ynë, i cili nuk është vetëm kreu i shtetit, por edhe një njeri me vlera, mendjehapur dhe me mirësi të padiskutueshme”, tha Armani pas ceremonisë.

Rikujtojmë se Giorgio Armani kishte ndihmuar Italinë edhe në luftën e saj me Coronavirusin, duke dhuruar 1.25 milionë euro donacione spitaleve dhe institucioneve italiane.

Giorgio Armani.

Përndryshe, sipërmarrësi Giorgio Armani, tashmë në moshën 86 vjeç, po shqyrton për herë të parë mundësinë e një ndërmarrje të përbashkët me një kompani tjetër.

Themeluesi i grupit të modës me të njëjtin emër, një ikonë e “Made in Italy”, në një intervistë të botuar në faqen e internetit Vogue.com, pati pohuar se urgjenca COVID-19 “na bëri të hapim sytë pak”.

Sidoqoftë, ai nuk ka ndërmend të ndjekë rrugën e markave të tjera italiane si Gucci, Fendi dhe Bulgari, të cilat janë blerë nga gjigandët e industrisë, të tilla si LVMH dhe Kering.

Armani kishte deklaruar se “një blerës francez nuk është në plan”.

Ai ishte shprehur se ideja e tij e vjetër që kompania duhej të kishte mbetur e pavarur “nuk është më aq e nevojshme”.

“Ju mund të mendoni për një bashkim me një kompani të rëndësishme italiane”, thotë ai pa shtuar asgjë tjetër, përveç faktit që nuk ka pse të jetë domosdoshmërish një kompani në sektorin e modës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore