Lajme

Gërvalla ende me asnjë njohje për Kosovën, ankohet “për fushatë agresive të Serbisë”


Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla

Ndonëse prejse është bërë ministre e Punëve të Jashtme nuk ia ka siguruar asnjë njohje të re Kosovës, Donika Gërvalla thotë se “ka lëvizje pozitive”, derisa ankohet “për fushatë agresive të Serbisë”

“Ne e dimë se sa agresive është fushata e Serbisë por edhe e Rusisë për të penguar njohje të reja dhe për të krijuar çnjohje të Kosovës nga shtete të ndryshme. Prandaj, ne, asnjë prej shteteve me të cilat bisedojmë nuk e vëmë publikisht para sfidave të tilla por ka lëvizje të shumta me shumë shtete”, tha Gërvalla për RTK-në.

E para e MPJ-së thekson se Qeveria është e përqendruar kryesisht te pesë shtetet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën.

“Ne jemi përqendruar kryesisht te pesë shtetet e BE-së sepse mendojmë që ato nëse nuk realizohen do të kthehen në një sfidë serioze për rrugën euroatlantike të Kosovës. Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare nuk duhet të kthehet vetëm në një çështje formale, të prestigjit por duhet të jetë një çështje e cila duhet të shihet dobia në secilën organizatë”.

Gërvalla e ka ripërsëritur qëndrimin e ekzekutivit se masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, “janë të pakuptimta”.

“Ato masa janë të pakuptimta për mendimin tim dhe duhet të hiqen sa më shpejt. Se si do të jetë procesi do të më lejoni mos ta diskutojmë publikisht sepse i ka disa gjëra të cilat është mirë kur ndodhin dhe është mirë kur gëzohemi në fund por është mirë ta ruajmë njëfarë konfidencialiteti ndaj partnerëve”, shtoi ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore