Lajme

Gërvalla e shkarkoi – Gjykata e kthen në punë Sekretarin e Ambasadës së Kosovës në Londër


Viskont Jakupi.

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka marrë vendim për Viskont Jakupin që të kthehet në punë në pozitën e Sekretarit të Parë të Ambasadës së Kosovës në Londër.

Ai ishte i emëruar në këtë pozitë dhe menjëherë pas një muaj ishte shkarkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Në vendimin e siguruar nga Albanian Post thuhet se vendimi është marrë duke u bazuar në propozimin e kreditorit të përmbarimit.

“Objekt i përmbarimit është kërkesa për kthim në punë, në Mision Diplomatik, duke vendosur për propozimin e kreditorit të përmbarimit, mbi caktimin e përmbarimit në bazë të Vendimit A.nr.117/2022 i datës 12.04.2022, i nxjerr nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), më datën 02.09.2022”, thuhet në dokument.

Vendimi i Gjykatës në rastin e Viskont Jakupi.

Tutje thuhet se Jakupi do të kompensohet që nga dita e kthimit të kreditorit nga misioni i Sekretarit të Parë të Ambasadës së Kosovës në Londër.

“Urdhërohet debitori i përmbarimit, ta kthej në punë kreditorin e përmbarimit, në Misionin Diplomatik në Londër/Mbretëri të Bashkuar, i caktuar sipas vendimit Nr.Ref. 293/2021, i nxjerr nga debitori dhe ta kompensoj kreditorin për diferencën në pagë, në mënyrë retroaktive nga data 11.11.2021”.

Edhe pse ishte emëruar për një mandat katër vjeçar që të kryej punën e Sekretari të Parë në Ambasadën e Kosovës në Londër, Jakupi qëndroi atje për vetëm një muaj.

Për shkak të paqartësive rreth banimit dhe shumës së buxhetit të caktuar për këtë gjë, Jakupi u kthye në shtëpi me urdhër të Ministres Donika Gërvalla.

Me tu kthyer Jakupi, përmes avokatit Mehdi Geci është ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil. Të cilët kanë mandat ligjor për të trajtuar ankesat e të punësuarve në shërbimin civil.

Ky këshill ka aprovuar ankesën e Jakupit dhe i ka kërkuar MPJ-së të rishqyrtoj vendimin ndaj diplomatit Jakupi.

Vendimi i Gjykatës në rastin e Viskont Jakupi.

Pas këtij vendimi të Këshillit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nxjerr një vendim të ri, në të cilin e lë në fuqi vendimin e parë për shkarkim të Viskont Jakupit por në varg të arsyetimeve të dhëna, cek faktin se Ministria ka konstatuar se është bërë “një deklarim i një të pavërtete të pa tolerueshme”, në diskutimin zyrtar diplomatik – Ministre e Punëve të Jashtme (komunikimi me email në vazhdën e shqyrtimit në funksion të aprovimit të kërkesës për tejkalim qiraje).

Avokati i Jakupit, Mehdi Geci përsëri është ankuar dhe përsëri ka gjetur mbështetje nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.

Sipas vendimit të dytë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrë për Shërbimin Civil, Ministria e Jashtme ka fat që brenda 15 dite nga data kur pranon vendimin, të rikthej në punë z.Viskontin.

Por kjo gjë nuk ka ndodhur, kështu që Viskont Jakupi, këtë procedurë e ka nisur te Përmbaruesi, përmes të cilit kërkon që të rikthehet në punë dhe të paguhet për pagat që nuk morri deri tani, nga nëntori i vitit të kaluar.

Albanian Post në maj të vitit 2022 kishte realizuar një video story për rastin e Viskont Jakupit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore