Lajme

Gërvalla e njofton ministrin gjerman për veprimet kërcënuese të Serbisë, kërkon rritjen e prezencës në rajon


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorious.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë vizitës së saj zyrtare në Gjermani, është takuar me ministrin e Mbrojtjes Boris Pistorious, me të cilin ka diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë.

Gërvalla, përmes një komunikate dërguar mediave ka thënë se e informoi atë për veprimet kërcënuese të Serbisë që janë të vazhdueshme.

“Ministrja Gërvalla e njoftoi ministrin Pistorius rreth situatës së sigurisë në Kosovë dhe rajon, veprimeve të vazhdueshme kërcënuese të Serbisë dhe nevojën e ndërmarrjes së hapave të shpejtë dhe të vendosur për ruajtjen e paqes së brishtë në rajon”, ka thënë ajo.

Tutje, është thënë se ministrja ka kërkuar nga ai që të rritet prezenca e Gjermanisë në rajon.

“Në veçanti për mbështetjen e madhe që Gjermania i ka dhënë FSK-së në ngritjen e kapaciteteve si dhe kontributin e Gjermanisë të dhënë prej vitesh në kuadër të KFOR-it. Në këtë drejtim Ministrja Gërvalla kërkoi një rritje dhe përforcim të rolit të Gjermanisë në rajon”.

Përveç kësaj, u diskutua edhe për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, harmonizimin e politikave mbrojtjes dhe të sigurisë, e po ashtu integrimin e Kosovës në NATO.

Ndërsa, është theksuar se takimi mes Gërvalles dhe Pistorious shënon “një hap të rëndësishëm”, drejt thellimit të bashkëpunimit në mes të dy shteteve, duke krijuar mundësi për një të ardhme të sigurt dhe prosperuese në rajon.

Të martën, ajo u takua edhe me deputetin gjerman Roderich Kiesewetter, nga radhët Unionit Kristian Demokrat (CDU).

Kjo vizitë pune e Gërvallës në Berlin, sipas njoftimit për media, është një mundësi e mirë e koordinimit dhe bashkërendimit të veprimeve dhe politikave me përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme gjermane.

Ndryshe Gërvalla javën e kaluar zhvilloi vizitë zyrtare në Monako dhe Andorra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore