Lajme

Gërvalla: Dua të jem optimiste për datën 13 tetor, mosliberalizimi i vizave tregon jokredibilitetin e BE-së


Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz, ka folur rreth datës 13 tetor, ku çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në rend dite në Bashkimin Evropian.

Ajo gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, është shprehur se edhe pse nuk dëshiron të festojnë për tema të cilat nuk kanë siguri se do të ndodhin, do të jetë optimiste.

“Dua të jem optimiste për datën 13, por siç e kemi praktikuar edhe deri tani ne nuk japim parashikime, nuk japim data, sepse mjaft në të kaluarën janë bërë parashikime të gabuara janë hapur shishe shampanje është festuar që është bërë pardje liberalizimi i vizave”.

“Duam të jemi shumë serioz edhe me partnerët tonë evropian, do ta përshëndesnim jashtë mase liberalizimin e vizave, por le të presim se cili do të jetë veprimi. Në fakt arsyeje për të mohuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës në fakt nuk ka”, ka thënë Gërvalla.

Sipas saj, mosliberalizimi i vizave për Kosovën, tregon për kredibilitetin e Bashkimit Evropian.

“Ne në vazhdimësi kemi punuar në baza ditore për të arritur progres në çështjen e liberalizimit të vizave, sepse është padrejtësi e madhe që qytetarët e Republikës së Kosovës janë të vetmit në rajonin tonë të cilët nuk mund të lëvizin pa aplikuar për viza. Prandaj, përderisa është konstatuar disa herë që Kosova, i ka përmbush madje më shumë sesa që ka qenë e kërkuar kriteret për liberalizim të vizash është në fakt një çështje, një pyetje ku shtrohet kredibiliteti i Bashkimit Evropian, më shumë sesa që përgjegjësia bie në anën tonë”.

Ilustrim

Gërvalla, e pyetur rreth një marrëveshje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë refuzon që edhe për këtë çështje të jap supozime.

Por, që thekson se si qeveri vazhdojnë të jenë të angazhuar në këtë drejtim.

“Unë nuk mund të jap parashikime rreth arritjes së një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo çfarë mund të them është se Kosova është shumë e përkushtuar për të arritur një marrëveshje finale e cila do të rezultojnë me njohjen e ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë dhe unë mund vetëm të theksoj nevojën për një marrëveshje të tillë, për shkak se koha po kalon. Kosova është realitetet si shtet i pavarur dhe sovran që 15 vite”.

Edhe pse, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka dënuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e cila udhëhiqet nga ministrja, Donika Gërvalla me 13 mijë euro, ajo konsideron se janë “qeveria më transparente ndonjëherë në historinë e Republikës së Kosovës”.

“Mendoj që kjo është qeveria më transparente ndonjëherë në historinë e re të Republikës së Kosovës. Mendoj që kjo qeveri natyrisht larg së qenit perfekt në punën e saj ka ofruar qasje, qoftë në dokumente publike, por qoftë edhe në përgjithësi në informacione që kanë të bëjnë me qeverinë, ka ofruar qasje shumë më të mëdha jo vetëm për gazetarët, por edhe për institucione e shoqëri civile”.

Foto: Albanian Post.

Drejtori i kësaj agjencie Jeton Arifi, përmes një përgjigje me shkrim dërguar Albanian Post,  kishte bërë të ditur se arsyeja e dënimit ndaj këtij dikasteri është për shkak se nuk ka ofruar qasje në dokumente publike.

Ky dikaster thuhej se ishte paralajmëruar më herët nga Agjencia, por që të njëjtit kishin vazhduar me qëndrimet e tyre.

Ndryshe, nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që janë jashtë Bashkimit Evropian, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen.

Kosova, ashtu si edhe Bosnje e Hercegovina, ka vetëm Marrëveshje Stabilizimi me BE-në.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore