Lajme

Gazprom reduktoi dërgesat në Itali me një të tretën


Rusia po redukton furnizimin me gaz natyror në Itali me një të tretën krahasuar me mesataren e ditëve të fundit.

Kështu ka deklaruar kompania shtetërore e energjisë Eni, shkruan agjencia italiane “Ansa”.

“Gazprom njoftoi se do të furnizojë Eni-n me vëllime gazi të barabarta me rreth 21 milionë metër kub në ditë për sot, krahasuar me një mesatare prej rreth 32 milionë metër kub në ditë ditët e fundit”, sqaroi kompania.

Pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, qeveria italiane shpalli synimin e saj për t’u bërë e pavarur nga furnizimi me gaz rus.

Vendi merr një pjesë të konsiderueshme të gazit nga Rusia, kështu që qeveria ka hyrë në marrëveshje të reja me furnizues të tjerë të gazit si Azerbajxhani, Katari dhe Algjeria.

Që atëherë, Italia ka blerë gjithashtu dy terminale magazinimi dhe rigazifikimi të LNG-së përmes operatorit të saj të gazit “Snam”.

Më herët në korrik, kreu i Komisionit Evropian paralajmëroi për rrezikun e një ndalimi të plotë të furnizimit me gaz rus në BE.

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fatih Birol, këshilloi Evropën që të përgatitet urgjentisht për faktin se Rusia do të ndërpresë plotësisht furnizimin me gaz në dimër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore