Lajme

Gazetari i “New York Times”: Vuçiç-i është injorant, ende iu beson teorive konspirative


Robert Worth

Robert Worth, autori i artikullit të gazetës amerikane “New York Times”, në një intervistë për rrjetin ballkanik të lajmeve “N1“, ka thënë se pretendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se gjoja artikulli i cili zbuloi lidhjet e tij me botën e krimit në Serbi ishte mesazh nga Agjencia Qendrore e Intelegjencës (CIA), tregon se ai është një injorant i cili iu beson teorive të çmendura konspirative.

“Fatkeqësisht, presidenti Vuçiç zgjedh një mënyrë të tillë për t’u shprehur. Ka shumë teori të çmendura konspirative. Kam kaluar shumë vite në Lindjen e Mesme dhe kam shkruar për Lindjen e Mesme. Kishte shumë teori të tilla konspirative atje. Gazetarët amerikanë duhej të mësoheshin me njerëzit që iu thoshin – oh, ju duhet të jeni nga CIA. Por zakonisht akuza të tilla vijnë nga njerëz injorantë”, tha Worth.

“Jam munduar shumë herë dhe në mënyra të ndryshme të marr një koment nga presidenti Vuçiç derisa isha duke punuar për këtë artikull. Jam përpjekur para se të vija në Serbi. Jam përpjekur shumë herë përmes telefonit dhe mesazheve elektronike që të arrij në zyrën e presidentit edhe pasi u largova nga Serbia. Asnjëherë nuk kam marrë asnjë përgjigje”, tregoi ai, ndërsa shtoi se administrata e Vuçiç-it po shkon në drejtimin e kundërt të shoqërive liberale.

Edhe redaksia e revistës javore amerikane “New York Times”, nëpërmjet një përgjigje me shkrim për gazetën opozitare serbe “Nova”, demantoi pretendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili, përveç se i cilësoi gënjeshtra pohimet e ngritura në një artikull të gjatë të revistës në fjalë për lidhjet e tij me botën e krimit, në një intervistë për televizionit pro-qeveritar, tha se e njëjta ishte porositur para pesë muajsh dhe atë e kanë hartuar njerëzit në Serbi.

“Artikulli i The New York Times Magazine mbi gjyqin serb dhe lidhjet midis lidershipit më të lartë të vendit dhe bandave të dhunshme të drogës bazohet në dhjetëra intervista, dokumente, transkripta gjyqësore dhe raportime rigoroze në terren nga Robert Worth [autori i artikullit]. Çdo pretendim tjetër është i rremë”, thuhet në përgjigjen e prestigjiozes amerikane për gazetën serbe, si formë reagimi ndaj akuzave të presidentit serb.

“Teksti i pakuptimtë në ‘The New York Times’ është porositur para pesë muajsh dhe e kanë hartuar njerëzit këtu (në Serbi). Nuk e ka shkruar atë njëfarë amerikani, gazetar i pavrur, që e kanë gjetur diku. Në tekst janë të gjitha gënjeshtrat që i kanë publikuar këtu për ta fshehur bashkëpunimin e tyre me klanin e Belivukut”, tha Vuçiç duke theksuar se është fshehur fakti se dy nga dëshmitarët kanë pohuar se është përgatitur njëfarë “komploti” ndaj tij.

Artikulli i së përjavshmes amerikane “New York Times” për qeverinë mafioze në krye të Serbisë, bëri bujë të madhe në mesin e politikanëve, diplomatëve dhe vëzhguesve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Autori i artikullit, Robert Worth, solli në qendër të vëmendjes – sërish – lidhjet e dyshimta të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, me huliganin dhe trafikantin e drogës, Veljko Belivuk, i cili ka kohë që është subjekt i hetimeve në Serbi.

Aritkulli zbuloi përpjekjet shumë-vjeçare të Vuçiç-it për “kontroll të plotë mbi pothuajse çdo aspekt të jetës publike” në Serbi dhe gjurmoi qartë lidhjet e tij me grupet mafioze, kriminelët e luftës, huliganët serbë të futbollit, të cilët sipas “The New York Times” janë përfshirë në politikën e paqëndrueshme të Ballkanit Perëndimor dhe ndihmuan nxitjen e kryengritjeve serbe në vendet tjera të rajonit, përfshirë ato në veri të Kosovës.

“Rreziqet më të dukshme sot janë të përqendruara në Kosovë, që gjendet nga ana jugore e Serbisë, që banohet me shqiptarë, por që përmban edhe ‘xhepa’ me shumicë serbe, veçanërisht në veri. […] Skenari që mban zgjuar gjatë natës liderët perëndimorë është pak a shumë kështu: Vuçiç, duke përmendur një rrezik për minoritetin serb, dërgon trupa përtej kufirit dhe anekson veriun e Kosovës. Serbët në pjesë të tjera të rajonit pastaj largohen nga shtëpitë e tyre ose kërkojnë më shumë ndryshime kufijsh”.

Krejt në fund, në këtë artikull/hulumtim thuhet se presidenti serb e ka shfrytëzuar shkëlqyeshëm problemin e bandave mafioze në Serbi duke krijuar një mjedis në të cilën linja e paqartë mes krimit të organizuar dhe shtetit shkon në avantazhin e tij. Rasti i Belivuk ka hedhur dritë mbi disa çështje të brendshme të shtetit serb – bazuar në hetimet që janë bërë – ai del të ketë lidhje me zyrtarë të lartë në Beograd. E, në krye të kësaj – sigurisht – është kreu i shtetit serb dhe Partia Progresiste Serbe.

James Rubin, i njohur si “dora e djathtë” e Madeleine Albright dhe ish-kryezëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, tashmë udhëheqës i Qendrës Globale të Angazhimit që përbën organin kryesor të DASH-it për të ekspozuar dhe për t’iu kundërvënë propagandës dhe dezinformimit, propozoi “lexim brutal” të artikullit me titull: “Presidenti, Huliganët e Futbollit dhe një ‘Shtëpi e Tmerreve’ e Botës së Krimit”.

Albanian Post qysh në korrik të vitit 2021 pati raportuar për lidhjet personale të Vuçiç-it me bandat mafizoze në Serbi. Arrestimi i kriminelit famëkeq, Veljko Belivuk, kishte bërë bujë të madhe në atë kohë, pasi udhëheqësi i grupit mafioz “Jeniçerët” –  emër i mercenarëve ballkanas në kohën e Perandorisë Osmane – deklaroi para Prokurorisë Speciale të Serbisë se ai ka kryer shumë punë për presidentin serb.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore